Tregjet europiane i rikthehen fitimeve – Credit Suisse, hua prej 54 miliard USD nga Banka Kombëtare e Zvicrës
Tregjet europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pasi Banka Kombëtare e Zvicrës njoftoi se do të ofrojë likuiditet për Credit Suisse, e cila u përfshi nga një shitje masive e aksioneve, duke rrëzuar të gjithë sistemin bankar europian. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 1%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor pozitiv.
Credit Suisse njoftoi se do të marrë rreth 54 miliardë dollarë hua nga Banka qendrore e Zvicrës, sipas kushteve të lehtësimit afatshkurtër të likuiditetit. Ndërkohë, shumica e tregjeve aziatike dhe atyre amerikane u mbyllën në territor negativ në sesionin e kaluar.
Investitorët po presin edhe takimin e Bankës Qendrore Europiane që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme dhe analistët parashikojnë një shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare. Shefja e BQE, Christine Lagarde, deklaroi javën e kaluar se inflacioni vijon të qëndrojë në nivele të larta dhe për këtë arsye nevojiten masa të tjera. Analistët presin gjerësisht se, Banka Qendrore Europiane do të rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.