Tregjet europiane i rikthehen fitimeve – Kina sinjalizon se mund të lehtësojë politikën “zero-Covid”
Bursat europiane i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët vijojnë të monitorojnë zhvillimet që kanë të bëjnë me protestat në Kinë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.4%, ndërsa lëndët e para kryesojnë fitimet, në rritje me rreth 1.7%.
Ndërkohë, në rajonin e Azi-Paqësorit, bursa e Hong Kongut u rrit me mbi 5%, pasi autoritetet kineze inkurajuan të moshuarit të marrin vaksinën kundër Covid-19. Gjithashtu, tregjet në Azi janë mbështetur edhe nga spekulimet se qeveria mund të ndryshojë politikën “zero-Covid”, për shkak të protestave të dhunshme të ditëve të fundit. Njëkohësisht, numri i infektimeve me Covid-19 shënoi rënie, për herë të parë në një javë.
Ndër zhvillimet e tjera, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, sinjalizoi se politikat monetare shtrënguese do të vijojnë, pasi sipas saj, inflacioni në bllok nuk ka arritur ende kulmin. Investitorët do të presin edhe fitimet tremujore të kompanisë së fluturimeve, Easyjet, të dhënat mbi inflacionin në Eurozonë dhe klimën e biznesit për nëntorin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.