Tregjet europiane i rikthehen fitimeve – Sektori i shitjeve me pakicë kryeson fitimet. Inflacioni mund të ketë arritur majën
Bursat europiane i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të një dite më parë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.3% të vlerës, ndërsa sektori i shitjeve me pakicë realizon fitimet më të mëdha, në rritje me 0.9%.
Megjithatë, kujdesi është i lartë për shkak të vendimit surprizë të Bankës së Japonisë për të mos ndryshuar normat e interesit dhe për të rritur sasinë e blerjes së obligacioneve qeveritare. Në anën tjetër, shumica e bankave të tjera qendrore e rritën normën bazë të interesit javën e kaluar me gjysmë pikë përqindje, për të luftuar inflacionin e lartë.
Në fokus të tregjeve do të vijojnë të jetë të dhënat e tërthorta, që mund të sinjalizojnë ecurinë e inflacionit gjatë muajit të fundi të vitit. Analistët shprehen se inflacioni në Eurozonë mund të ketë arritur kulmin dhe tashmë ka filluar tendenca në rënie. Gjithsesi, për shkak të rritjes së konsumit gjatë muajit dhjetor, ecuria e çmimeve mund të regjistrojë një rritje të përkohshme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.