Tregjet europiane, me ndryshime të vogla – Britania prezanton planin ekonomik prej 55 miliardë paund
Bursat europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e fundit të kësaj jave, ndërsa investitorët vijojnë të përllogarisin trajektoren e politikave monetare, që do të ndjekë Rezerva Federale në SHBA. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.3%, ndërsa sektori i lëndëve të para realizon fitimet më të mëdha, në rritje me 1.7%.
Tregjet globale gjetën një mbështetje nga të dhënat në SHBA, si shpenzimet konsumatore dhe shitjet me pakicë, që shtuan mundësitë që Rezerva Federale do të ngadalësonte hapin e rritjes së interesave.
Por një anëtar i bankës qendrore amerikane deklaroi se politika monetare nuk është ende në një zonë, që mund të konsiderohet mjaftueshëm kufizuese ndaj inflacionit. Investitorët do të presin të dhëna të tjera ekonomike për të përcaktuar politikat monetare që do të ndjekin bankat qendrore.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar prezantoi strategjinë e re fiskale, e cila fokusohet te rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve. Plani prej 55 miliardë paund, që u prezantua në parlament nga Kancelari Jeremy Hunt, parashikon 30 miliardë paund ulje të shpenzimeve dhe 25 miliardë paund rritje të taksave.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.