Tregjet europiane zgjerojnë fitimet – Fokusi i investitorëve, te politikat monetare të bankave qendrore
Bursat europiane janë hapur në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi në treg vijon momenti pozitiv, për shkak të largimit të shqetësimeve për industrinë bankare. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.6%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor pozitiv.
Aksionet e bankës, UBS janë sërish në rritje me mbi 1%, ndërsa në sesionin e kaluar fituan 3.7% të vlerës, pas njoftimit se Sergio Ermotti do të rikthehet si shef Ekzekutiv i kësaj banke, duke filluar nga 5 prilli.
Tashmë investitorët do të fokusohen te politikat monetare që do të ndjekin bankat qëndrore për të luftuar inflacionin e lartë. Banka Qendrore Europiane nuk dëshiron të shkaktojë më shumë panik duke rritur normat e interesit me shpejtësi dhe në takimin e radhës mund të ketë një ndalesë.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në Eurozonë u ngadalësua në 8.5%, gjatë shkurtit, por inflacioni bazë që përjashton çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe ushqimeve, u rrit në 5.6%, nga 5.3% që ishte në janar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.