Tregjet nën presion nga rritja e inflacionit – Në Gjermani rezultoi në 8.7%, pritet raporti për të gjithë Eurozonën
Tregjet europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, për shkak se inflacioni në Gjermani u rrit në nivelin më të lartë në gjysmë shekulli, gjatë majit, duke shtuar presionin ndaj Bankës Qendrore Europiane për të rritur normat e interesit. Indeksi pan-Europian STOXX 600 po qëndron në rritje me 0.2%, ndërsa shumica e sektorëve po luhaten minimalisht.
Të dhënat e publikuara treguan se inflacioni i harmonizuar në Gjermani u rrit me një hap vjetor prej 8.7%, gjatë majit, ndërsa analistët parashikonin një nivel prej 8%. Kemi të bëjmë një një rritje të inflacionit me thuajse 1 pikë të plotë, krahasuar me muajin prill, kur inflacioni ishte në 7.8%.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme pritet të publikohen të dhënat mbi inflacionin në Francë dhe Itali dhe për të gjithë Eurozonën. Të dhënat mund të shtojnë më tej presionin ndaj bankës qëndrore për të vepruar, me shumë mundësi në takimin e korrikut.
Edhe bursat në rajonin e azi-paqësorit patën një performancë mikse në sesionin e sotëm, pasi aktiviteti i manifakturës në Kinë u kontraktua gjatë muajit maj, si pasojë e karantinave të vendosura në shumë provinca. Për Wall Street, ky do të jetë sesioni i parë për këtë jave, sepse të hënën ishte pushim me rastin e Ditës Përkujtimore.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.