Tregtia përmes rrugëve detare merr sërish hov!
Ekonomia globale po vuan ende nga pasojat e pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Megjithëse nga kjo tregtia botërore ka humbur ritmin, shumë zinxhirë furnizimi janë përçarë dhe ndërveprimi ekonomik në mbarë globin po kalon një provë të vështirë, ka shenja të çtensionimit të pjesshëm të situatës. Kjo konstatohet edhe nga shoqata e pronarëve gjermanë të anijeve (VDR). Drejtori i përgjithshëm Martin Kröger sheh për këtë disa arsye, si p.sh përfundimin e grevave të punëtorëve të porteve në Gjermani.
Edhe hapësirat në anije, domethënë kapaciteti në dispozicion për ngarkesat e mallrave, nuk është aq e pakët sa vitin e kaluar. Kjo vërehet në tarifat e mallrave, pra në shpenzimet që bëhen për transportin e kontejnerëve ato po bien ndjeshëm sërish.
Gazeta Handelsblatt ka përllogaritur se tarifat e ngarkesave pjesërisht nuk janë “më të shtrenjta” se para pandemisë. Për shembull, transportimi i një kontejneri 20 ft nga Kina për në Europën Veriore do të kushtonte mesatarisht 1,479 dollarë, në fillim të këtij viti çmimi ishte 8000 dollarë. Ai po ashtu thotë se dërgesat nga Shangai për në Bregun Perëndimor të SHBA janë madje edhe më të lira se në vitin 2019.
Vincent Stamer nga Instituti për Ekonominë Botërore (Ifw) në Kiel shpjegon arsyen. “Gjatë pandemisë sidomos europianët dhe amerikano-veriorët e rritën kërkesën për mallra elektronikë, mobilje dhe vegla sporti. Në të njëjtën kohë firmat u përpoqën t‘i zgjidhnin vështirësitë e furnizimit duke i mbushur magazinat, thotë Stamer. Vendimtare për zhvillimin aktual të tarifave të ngarkesave është tani “rënia e kërkesës për mallra fizike”.
Kushtet aktuale të pafavorshme ekonomike në Europë dhe SHBA e ulin kërkesën. “Inflacioni, frika nga recesioni dhe një rotacion i shërbimeve e ulin kërkesën për mallra”, thotë Stamer. Rënia e kërkesës do të thotë se oferta e hapësirës për ngarkesa në transportin detar është sërish e mjaftueshme, gjë që reflektohet në uljen e tarifave të ngarkesave.
90 % e tregtisë botërore kryhet përmes deteve. Dhe kushdo që jeton në bregdet apo në një qytet me një port të madh i ka parë vetë bllokimet e trafikut të anijeve me kontejnerë. Këto pritje të gjata tani nuk janë më. A është gjë e mirë kjo për konsumatorët? A nuk ndihet kjo edhe në tregjet e konsumit? Po, thotë ekonomisti i Ifw, Stamer: “Rënia e tarifave për ngarkesat e mallrave është lajm i mirë. Firmave u duhet të shpenzojnë afro një ndër dhjetë euro për logjistikën dhe transportin. Prandaj çtensionimi i tarifave të ngarkesave ul kostot për kompanitë dhe ka në fund ndikim edhe në çmimet e konsumit”.
Por pronarët e anijeve thonë jo. Për Gjermaninë zhvillimi në fakt është pozitiv. Por konsumatorët vështirë se do ta vërenin rënien e kostove të transportit. Sipas VDR ajo përbën vetëm “një pjesë shumë të vogël të çmimit të konsumit përfundimtar të mallrave të transportuara”.
Sipas Martin Kröger, nuk priten rënie të mëtejshme të kostove të ngarkesave të mallrave. “Një regjim i rreptë i reduktimit të CO2 të BE do ta bëjë gradualisht të detyrueshëm përdorimin e karburanteve pa emetim, të cilat janë shumë më të shtrenjta për t’u blerë dhe përdorur se sa karburantet fosile konvencionale”. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.