Tregu i monedhave e nis javën në qëndrueshmëri – Investitorët presin takimin e Bankës së Japonisë, pritet shtrëngim i politikave
Tregu i monedhave e ka nisur në qëndrueshmëri edhe këtë javë, ndërsa euro po tregtohet në mbi 1.08 në raport me dollarin amerikan. Ndërkohë, jeni japonez po teston nivelin më të lartë në 7 muajt e fundit, pasi investitorët po presin vendimin e Bankës së Japonisë, më vonë gjatë kësaj jave.
Euro po tregtohet në mbi 1.08 dollarë, ndërsa paundi po tregtohet në mbi 1.22 dollarë. Tregjet presin se Banka e Japonisë do të sinjalizojë largimin nga politika monetare ultra-lehtësuese që zgjat prej mbi 1 dekade. Dollari amerikan po gjendet nën presion edhe për shkak të ngadalësimit të inflacionit në Shtetet e Bashkuara, që ra për herë të parë në 2 vite e gjysëm, gjatë dhjetorit.
Në anën tjetër, të dhënat më pozitive se parashikimet në Gjermani dhe Britani sugjerojnë se dy vendet mund ta shmangin recesionin, në tremujorin e parë të këtij viti. Përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan po qëndron në rreth 102, shumë pranë nivelit më të ulët në 7 muajt e fundit. Volumi i shkëmbimeve tregtare pritet të jetë i ulët gjatë ditës së sotme, për shkak se Wall Street do të qëndrojë pushim, me rastin e një feste kombëtare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.