Tregu i monedhave, i qëndrueshëm – Investitorët presin takimin e FED, parashikohet rritje e interesave me 25 pikë
Dollari amerikan po këmbehet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm dhe po qëndron në nivelin më të ulët në 5 javët e fundit, pasi investitorët po presin takimin e Rezervës Federale, që fillon sot dhe përfundon të mërkurën.
Në sesionin e kaluar, monedha amerikane u zhvlerësua ndjeshëm, pasi janë rritur mundësitë që Banka Qendrore Amerikane të mos ndryshojë politikën monetare në takimin e kësaj jave. Analistët vlerësojnë 25% mundësi që FED të mos ndryshojë normën bazë të interesit dhe 75% mundësi që ta rrisë me 25 pikë bazë.
Megjithatë, besimi i investitorëve vijon të jetë i brishtë dhe në fokus është blerja e Credit Suisse nga UBS. Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e panikut, bankat qendrore më të mëdha të botës, në koordinim me njëra-tjetrën, njoftuan se do të ofrojë shkëmbime ditore të monedhave, për të siguruar se nuk do të ketë mungesë të likuiditetit. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka zbritur poshtë 28 mijë dollarëve dhe po tregtohet në rreth 27.600 dollarë.
Ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1740 dollarë. Në sesionin e kaluar, bitcoin preku nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit dhe vetëm brenda 24 orëve kapitalizimi i kësaj monedhe u rrit me 26 miliardë dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.