Turistët sollën 1.9 miliardë euro në gjashtë muaj – Të ardhurat neto vlerësohen në rreth 739 milionë euro
Xhorxhina Deda/SCAN
Gjatë tre muajve të dytë të vitit aktual turistët kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 1.2 miliardë euro, duke konfirmuar kështu trendin mjaft pozitiv të sektorit, të nisur që prej dy viteve të kaluara. Shifrat e tremujorit të dytë të vitit sinjalizojnë një rekord historik absolut. Rekordi i mëparshëm për këtë periudhë kohore regjistrohej një vit më parë, me rreth 930 milionë euro, çka do të thotë se rekordi është tejkaluar me 230 milionë euro, ose me 24%. Nëse marrin në konsideratë gjashtë muajt e parë të vitit, të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të huajt në Shqipëri kanë shpenzuar një shifër rekord prej 1.9 miliardë eurosh.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT në gjashtë muajt e parë të vitit aktual numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 4.5 milionë. Kështu sipas shifrave të “Bankës së Shqiprisë” mund të gjejmë sa ka shpenzuar mesatarisht një turist i huaj në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 400 euro.
Kujtojmë se gjatë vitit 2023 si të plotë, sipas “Bankës së Shqipërisë”, turistët shpenzuan në vend rreth 4.1 miliardë euro. Ndërkohë, të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga turizmi vitin e kaluar arritën vlerën e 1.8 miliardë eurove, duke vendosur një rekord historik, me diferencë të madhe nga vitet e tjera. Shifrat bëjnë me dije se ecuria e këtij viti mund të thyejë nivelin e vitit 2023.
Por, nivele rekord shpenzimesh raportohen edhe nga shqiptarët jashtë, me 687 milionë euro në tremujorin e dytë të vtit 2024. Gjithsesi, bilanci neto mes shpenzimeve të turistëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë fiksohet pranë rreth 472 milionë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tremujorin e dytë të vitit.
Nga ana tjetër, nëse i referohemi periudhës gjashtëmujore shohim se shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit vlerësohet në 1.2 miliardë euro, ndërkohë që bilanci neto regjitrohet në 739 milionë euro.
Këto shifra konfirmojnë se paratë e shpenzuara nga turistët këtë vit janë padiskutim një arsye e qenësishme që mund të ndikojë në zhvlerësimin e euros dhe që shton frikën për një rënie të mëtejshme të monedhës së përbashkët europiane.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.