Turizmi “nxit” ekonominë e Spanjës – Vizitorët gjermanë dhe britanikë e çojnë PBB-në spanjolle në 2.4%
Kristi Ceta/SCAN
Spanja priti një rekord prej 10.9 milion turistësh në korrik, 7.3% më shumë se një vit më parë, ndërsa shpenzimet e tyre u rritën me 12%, duke stimuluar rritjen e fortë të ekonomisë spanjolle në krahasim me disa nga kolegët e saj europianë që kontribuuan në pjesën më të madhe të fluksit të vizitorëve.
Të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave gjithashtu tregojnë se në shtatë muajt e parë të vitit 2024, shpenzimet e vizitorëve të huaj u rritën me 18.6% në 71 miliardë euro, pavarësisht shqetësimeve fillestare mbi protestat anti-turizëm dhe temperaturat ekstreme verore.
Rritja, e ndikuar nga vizitorët britanikë dhe gjermanë, pritet të nxisë rritjen e PBB-së së Spanjës në 2.4% këtë vit, shumë më sipër se 0.7% që pritet për zonën euro ose 0.3% të Gjermanisë, sipas një ankete të Reuters. Pavarësisht një rënieje prej 0.2% në konsumimin e brendshëm të Gjermanisë në tremujorin e dytë, turistët gjermanë rritën shpenzimet e tyre në Spanjë me pothuajse 10% në një mesatare prej 1,340 euro për vizitë.
Britanikët, që përbëjnë një në pesë vizitorë, shpenzuan 7.5% më shumë, ose 1,389 euro në korrik. “Spanja është më konkurruese se Gjermania në sektorin e shërbimeve,” thonë ekonomistët. Ka gjithashtu një ndryshim në modelet e konsumit, të cilat globalisht janë orientuar drejt shpenzimeve për udhëtime.
Pas një kulmi në turizmin gjerman në Spanjë në vitin 2017, ka pasur një rënie të ngadaltë ndërsa ata eksploronin destinacione të tjera mesdhetare, por që nga viti i kaluar, të dhënat sugjerojnë një rikthim. Rezervimet e fluturimeve për shtator, një nga muajt e preferuar të turistëve gjermanë për të udhëtuar, tregojnë një rritje prej 8.3%.
Gjermanët gjithashtu po ndryshojnë destinacionet e tyre brenda Spanjës. Megjithëse ata ende vizitojnë kryesisht Ishujt Balearikë në Mesdhe, shumë tani po zgjedhin rajonet e Katalonjës dhe Valencias.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.