Turqia, blerësi më i madh i arit në botë – Dobësimi i dollarit amerikan rrit kërkesën për metalin e çmuar
Kristi Ceta/SCAN
Çmimet e arit janë në një nivel rekord dhe një arsye është vendimi i mundshëm i autoriteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ulur normat e interest. Tregtarët e aksioneve supozojnë se metali i çmuar do të jetë edhe më tërheqës në të ardhmen e afërt, në krahasim me obligacionet shtetërore.
Bankat qendrore po dyfishojnë blerjet e arit si një masë mbrojtëse ndaj pasigurisë ekonomike globale. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në Turqi, ku Banka Qendrore ka rritur rezervat e saj zyrtare gjatë muajve të fundit. Kjo politikë e ka shndërruar Turqinë në blerësin më të madh të arit në botë. Të dhënat e Këshillit Botëror të Arit tregojnë se ky vend ka blerë pothuajse 45 tonë në gjysmën e parë të këtij viti, që paraqet një pasuri të veçantë strategjike.
Ekspertët theksojnë se Turqia kërkon siguri për shkak të monedhës së dobët kombëtare dhe inflacionit të lartë. Rritja e këtyre rezervave është gjithashtu një element i strategjisë gjeopolitike të Turqisë, veçanërisht ndërsa ajo kërkon të bashkohet me bllokun e BRICS, që përfshin vende me ekonomi në zhvillim, të cilat po kërkojnë alternativa ndaj dominimit të dollarit amerikan.
Çmimi i një 3 ons (31.1 gram) ari u rrit në 2,589 dollarë në fillim të javës në bursën e Londrës, që është çmimi më i lartë ndonjëherë. Çmimi u rrit konsiderueshëm me 4 për qind në shtatë ditë.
Duke qenë se në tregun global tregtohet zakonisht me dollarë amerikanë, dobësimi i monedhës amerikane e bën këtë metal të çmuar më të lirë në shumë vende, gjë që favorizon kërkesën dhe çmimin e tij.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.