Turqia i shpall luftë blerjeve online nga jashtë – Kufizime dhe tarifa të larta për tregtimin nëpërmjet platformave
Dorina Kurtaj /SCAN
Turqia po i shpall “luftë” platformave të tregtisë elektronike në internet në një përpjekje për të frenuar depërtimin e faqeve kineze të shitjeve me pakicë që po zgjerohen në mënyrë agresive në territorin e saj. Me masat e reja të shpallura Ankaraja ul kufirin e blerjeve online nga jashtë nga 150 në 30 euro, ndërsa rrit tarifat për mallrat me vlerë deri në 30 euro, të cilat dërgohen me postë ose me kompani transporti, duke dyfishuar taksat në 60% për mallrat nga vendet jashtë BE-së
Sipas dekretit të publikuar në Gazetën e Qeverisë, tarifat për mallrat që vijnë nga BE-ja rritet në 30% nga 18%, ndërsa të njëjtat tarifa do të zbatohen edhe për barnat me vlerë më të vogël se 1500 euro.
Korniza e re e rreptë rregullatore parashikon që të gjitha procedurat doganore duhet të ndiqen për mallrat me vlerë nga 30 deri në 1500 euro, të cilat nuk janë të sasisë apo natyrës komerciale, ndërsa artikujt e blerë nga konsumatorët nuk duhet të kalojnë 30 kg. Përndryshe, atyre do t’u ngarkohet një taksë doganore shtesë prej 48%.
Masat e reja të qeverisë Erdogan pritet të prekin veçanërisht porositë e vogla të bëra nga konsumatorët kryesisht përmes platformave kineze të tregtisë elektronike si Temu, AliExpress dhe Shein. Në fund të fundit, ministri i Tregtisë Omer Bolat kishte njoftuar së fundmi rregulloret e afërta, duke synuar platformat e huaja si Temu e Kinës. Gjigandi, me bazë në Boston, Massachusetts dhe i operuar nga kompania kineze e tregtisë elektronike PDD Holdings, është bërë jashtëzakonisht popullor në mbarë botën.
Një nga aplikacionet me rritje më të shpejtë hyri në Turqi kohët e fundit, ndërsa është i pranishëm në BE që nga viti i kaluar. Ministria e tregtisë e Turqisë është zotuar të mbrojë konsumatorët dhe bizneset vendase dhe disa analistë thonë se dëshiron të bllokojë importin në rritje të mallrave të konsumit të lirë, veçanërisht nga Kina, me të cilën Turqia ka një vëllim të lartë të tregtisë dypalëshe.
Në të njëjtën kohë, organizatat europiane për mbrojtjen e konsumatorëve kanë akuzuar gjithashtu Temu për teknika “manipuluese” që synojnë t’i bëjnë përdoruesit të shpenzojnë më shumë, pasi dihet se ofron një gamë të gjerë produktesh me çmime jashtëzakonisht të volitshme.
Rregullorja e re e tregtisë elektronike, e cila do të hyjë në fuqi në Turqi më 21 gusht, ka ngjallur një reagim të ashpër nga konsumatorët, të cilët kanë kritikuar qeverinë Erdogan në rrjetet sociale.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.