Udhëtarët e karburanteve! – Hungarezët kalojnë kufirin me Sllovakinë dhe Rumaninë për të kursyer para’
Në Sllovaki inflacioni është në nivelin 15.4% ndërsa në Hungari ka prekur 24.5%. Një diferencë prej 10 pikësh pothuajse, e cila në zonat kufitare ka bërë që shumë banorë të kthehen në udhëtarë të benzinës në kërkim të cmimeve më të lira të karburantit. Parkany në Sllovaki dhe Esztergom në Hungari ndahen nga një urë mbi Danub, e cila këto ditë ka regjistruar një trafik të dendur automjetesh.
Qytetarët hungarezë shprehen se zgjedhin këtë qytezë kufitare për shkak se benzina kushton më pak, por përfitojnë të kryejnë dhe blerje të tjera pasi birra dhe djathi kushtojnë më pak.
Por hungarezët nuk joshen vetëm nga Sllovakia në kufi. Një tendencë e ngjashme është regjistruar dhe në jug të vendit, ku këto blerje bëhen në Rumani. Madje dhe kryebashkiaku i qytezës kufitare Kubekhaza dërgon minibus-et e transportit publik që të furnizohen me karburant në Rumani.
Ai shprehet se nuk mund të shpërdorojë para si bën qeveria në këtë kohë, në një kohë që në vendin fqinj një litër karburant është ¼ euro më lirë se në vend. Dhe për ata që e mbushin rezervuarin plot dy deri në tre herë në muaj, është një kursim i ndjeshëm.
Qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban, këmbëngul se cmimet e larta të karburanteve janë pasojë e sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë. Një situatë që ka rritur inflacionin në vend, në një nivel më të lartë krahasuar me vendet fqinje si: Sllovakia, Rumania dhe Kroacia.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.