Ujësjellësit, krijohen 12 shoqëri të bashkuara – Në proces 3 të fundit, AKUK: Pritet finalizimi për Tiranën, Shkodrën dhe Vlorën
Thuajse një vit nga miratimi i vendimit të qeverisë, që i hapi rrugë bashkimit të kompanive të ujësjellës kanalizimeve, janë krijuar 12 Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta, ndërsa 3 të tjerë janë ende në proces. Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime thanë për TV SCAN se në proces të finalizimit të procedurave janë kompanitë me qendër Tiranën, Shkodrën dhe Vlorën. Në total këto kompani të agreguara përfshijnë 11 bashki.
Më konkretisht Ujësjellësi i Tiranës do të bashkohet me atë të Kamzës dhe Vorës, ai i Shkodrës me Malësinë e Madhe, Pukën, Vaun e Dejës dhe Fushë-Arrëzin, ndërsa ujësjellësi i Vlorës do të bashkohet me Selenicën dhe Himarën. Gjithsesi, përfaqësuesit e AKUK saktësuan se tashmë Vendimet e Këshillave Bashkiakë janë miratuar, çka do të thotë se dakordësia është arritur, por procesi nuk është finalizuar për shkak të kompleksitetit të tij.
Riorganizimi i shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, parashikon krijimin e 15 Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta, nga 58 kompani që ishin deri më tani. Sipas vendimit të qeverisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zotërojë 51% të aksioneve të kompanive të reja të krijuara, teksa përpara reformës aksionet e ujësjellësve zotëroheshin në masën 100% nga bashkitë ku ato ushtronin aktivitetin.
Tashmë këto të fundit do të zotërojnë jo më shumë se 49% të aksioneve, por mbetet e paqartë sesi do të ndahet kjo pjesë mes tyre. Bashkimi i këtyre kompanive nënkupton edhe një unifikim të tarifave të ujit që paguajnë qytetarët, çka do të sjellë rritje për shumë qytete.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.