Ulen borxhet për faturat e OSHEE – Stoku i detyrimeve të prapambetura arrin 78.89 mld lekë
Borxhi total, që klientët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përsoi rënie gjatë 10-mujorit të këtij viti, duke shënuar përmirësim të gjendjes debitore.
Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, vlera për detyrime të papaguara ndaj OSHEE nga klientët familjarë, institucionet shtetërore, ujësjellësit dhe bizneset deri në fund të muajit tetor arriti në 78.89 mld lekëve, nga 79.91 mld lekë që ishte në fund të vitit 2022.
Rritje e vlerës së faturave të papaguara është shënuar vetëm nga klientët jobuxhetorë, ku përfshihen ujësjellësit, që në fund të dhjetorit arritën në 18.80 mld lekë, nga 18.18 mld lekë që ishte ne fund të vitit 2022.
Ndryshe paraqitet situata për institucionet shtetërore, bizneset dhe konsumatorët familjarë, që përgjatë këtyre 10 mujave kanë shënuar një tendencë rënëse.
Kështu, stoku i detyrimeve të prapambetura për buxhetorët u ul në 4.69 mld lekë, nga 4.78 mld lekë që rezultonte në fund të 2022-it, për familjarët arriti 44 mld lekë, nga 45.22 mld lekë, ndërkohë që për kategorinë e bizneseve borxhi u ul në 11.36 mld lekë, nga 11.71 mld lekë që ishte në fund të vitit që shkoi.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.