Ulen kostot e tregtisë për bizneset? – CEFTA nuk pranon kërkesën për reduktim të kohës së pritjes në kufi
Së shpejti bizneset e import-eksport do të përfitojnë ulje të kostove tregtare me vendet e rajonit. Në programin e reformave ekonomike 2023-2025, nënvizohet se me shtetet anëtare të CEFTA-s po punohet për një projektvendim për uljen e kostove tregtare dhe deri tani është në zhvillim e sipër një grup pune i përbashkët mes palëve që do të punojë dhe Shqipëria ka paraqitur përfaqësuesit e saj.
Ndërsa nga ana tjetër theksohet se nuk po gjendet konsensus për të reduktuar orët e pritjes në kufi me këto vende për zhdoganimin e mallrave, ndërsa sportelet shqiptare ofrojnë shërbim 24/7. “Reduktimi i kohës së pritjes në pikat kufitare të kamionëve dhe harmonizimi i orarit të punës së të gjitha autoriteteve të inspektimit me palët fqinje CEFTA është ende pezull. Doganat shqiptare, policia dhe administratat e sigurisë ushqimore kanë orar pune 24/7, ndërkohë që vendet e tjera kufitare (anëtare të CEFTA/BE) kanë orar të ndryshëm pune.
Shqipëria po mbështet propozimin për harmonizimin e orarit 24/7. Por deri më tani nuk ka konsensus nga palët. Gjithashtu vijon puna për harmonizimin e orarit të punës me autoritetet doganore greke në Kakavijë”, thuhet në dokument. Po ashtu, me qëllim lehtësimin e tregtisë, në dokument, theksohet se po punohet për vendosjen e korsive të gjelbra me anëtarët e BE-së në kufi dhe se Shqipëria është e përgatitur dhe pret zgjerimin e korsive të gjelbra në kufijtë Shqipëri-Greqi në një afat të shkurtër.
Në këtë kuadër, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në korsitë e gjelbra me vendet anëtare të BE-së pritet të prodhojë ndikim pozitiv në biznesin tonë në drejtim të uljes së kohës dhe kostove.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.