Ulen tarifat për furnizuesit e energjisë – Ndryshojnë edhe pagesat për prodhuesit dhe sistemet e mbyllura të shpërndarjes
Enti Rregullator i Energjisë ka ulur tarifat e licencimit në veprimtarinë e furnizimit dhe në sistemet e mbyllura të shpërndarjes së energjisë elektrike. Referuar vendimit të miratuar në datën 1 shtator, për t’u licencuar në këto veprimtari, subjektet e interesuar do të paguajnë 500 mijë lekë, nga 1 mln lekë që ishte deri më tani.
Kjo ulje vjen në një kohë kur kërkesat për të ushtruar aktivitet në veprimtrainë e furnizimit me energji elektrike mund të jenë në rritje, për shkak të liberalzimit të tregut të energjisë dhe shkëputjes nga OSHEE nga një numër i konsiderueshëm biznesesh.
Ndërkohë që, ndryshime tarifash janë bërë edhe në drejtim të licencimit në veprimtrainë e prodhimit të energjisë elektrike, ku deri më tani paguhej në varësi të kapacitetit të instaluar. Më konkretisht, sipas rregullores aktuale për çdo MW paguhej 30 mijë lekë, ndërkohë që me ndryshimet e fundit marrja e licencës do të kushtojë 500 mijë lekë, plus 250 mijë lekë për çdo central shtesë.
Për licencat e tjera nuk janë miratuar ndryshime në drejtim të licencimit, por në rast të modifikimit, rinovimit apo transferimit të tyre sipas rregullores së re, do të paguhet 50% e vlerës së licencimit. Kjo nënkupton që për disa prej veprimtrarive, sikurse është operimi i sistemit të transmetimit, i sistemit të shpërndarjes, furnizimit operimit të tregut apo sistemet e mbylliura të shpërndarjes së energjisë elekrtike, do të paguhet më shtrenjtë në rast të modifikimit apo rinovimit.
Por, në ndryshim nga modifikimi apo rinovimi, për transferimin e licencave, rregullorja e re përkhehet në ulje të ndjeshme të tarfiave që për shumicën e veprimtarive arrin në 50% më pak. Dokumenti i miratuar nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë përcakton se pagesa e subjekteve të interesuar është e pakthyeshme dhe bëhet përpara dorëzimit të aplikimit. Ndërkohë që, ajo do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.