“Ulni korrupsionin që të tërhiqni investime!” – Hyland: Plani i Rritjes Ekonomike i shërben përafrimit me tregun e përbashkët evropian
Ledina Elezi/SCAN
Që të tërheqë investime të reja, Shqipëria duhet të punojë për uljen e mëtejshme të shkallës së korrupsionit. Kjo ishte një nga pikat kryesore në të cilat u ndal Drejtoresha për Evropën Qendore dhe Jugore nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Colleen Hyland, gjatë Konferencës Balkanomics.
Sipas saj, Shqipëria ka përparuar në zvogëlimin e këtij fenomeni, por duhet t’i shtojë akoma përpjekjet në vijim.
“Korrupsioni është një çështje dhe problem i madh, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri, por në shumë vende dhe ajo që ju dëshironi është që të tërhiqni investime të huaja dhe për këtë duhet vërtet ta trajtoni këtë fenomen, të ndryshoni sjelljen dhe qëndrimin.”
Ajo shtoi që përmes forcimit të tregut rajonal, vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë më të thjeshtë që të bëhen pjesë e tregut të përbashkët evropian, ku Plani i Rritjes Ekonomike u miratua për t’i shërbyer pikërisht këtij synimi.
“Mendoj që elementi tregtar është vërtet një nga tiparet kryesore të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe si njësi është e rëndësishme të integrohen fillimisht si rajon dhe më pas të mund të bëhen pjesë integrale e tregut të përbashkët evropian.”
Në përfundim të Konferencës pritet të prezantohet Rrjeti i Parë ESG në Shqipëri, një nismë novatore që përfshin disa nga 10 kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Ky rrjet, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, synon të nxisë bashkëpunimin midis bizneseve, politikëbërësve dhe shoqërisë civile për të përparuar në zhvillimin e praktikave të qëndrueshmërisë mjedisore, si reduktimi i emetimeve të karbonit, përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, por edhe zhvillimi i përgjegjshmërisë shoqërore dhe qeverisjes.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.