“Vendet e NATO-s duhet të paguajnë çmimin për paqe” – Stoltenberg paralajmëron aleancën në fjalimin e lamtumirës
Kristi Ceta/SCAN
Në fjalën e lamtumirës së tij pasi e udhëhoqi NATO-n për një dekadë, Jens Stoltenberg paralajmëroi vendet anëtare të aleancës, duke thënë se ato duhet patjetër “të jenë të gatshme ta paguajnë çmimin për paqe” përballë një Rusie të guximshme.
Stoltenberg shpalosi arritjet nga momenti kur mori drejtimin e aleancës më 2014, si dhe sfidat e tanishme. Ai tha se NATO ka përmbushur zotimin e dhënë para 10 vjetëve që vendet anëtare të shpenzojnë 2 për qind të GDP-së së tyre për mbrojtjen. “Por kjo nuk mjafton më”, shtoi Stoltenberg, duke lënë të kuptohet se caku i shpenzimeve prej 2 për qind nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur aleancën kundër Rusisë.
“Ne duhet të jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin për paqe. Duhen më shumë para, mbrojtje më të forta. Sa më efikase të jetë mbrojtja, aq më e madhe do të jetë siguria jonë”, theksoi kreu i aleancës.
Norvegjezi 65-vjeçar i paralajmëroi vendet anëtare të mos “i këmbejnë interesat ekonomikë afatshkurtër për nevojat afatgjate të sigurisë”.
Duke folur për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkaktuar mospajtime mes disa anëtarëve që kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e fortë të NATO-s për Kievin, Stoltenberg tha se “Ukraina duhet të përballet me Rusinë nga një pozicion force”. Sipas tij, çdo marrëveshje e ardhshme për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, duhet të mbështetet nga një përkrahje e fortë dhe e qëndrueshme ushtarake, jo thjesht nga letrat.
Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, i cili do të kthehet në atdhe për t’u bërë guvernator i Bankës Qendrore, do t’ia dorëzojë detyrën ish-kryeministrit holandez, Mark Rutte, më 1 tetor.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.