Vendet me rritjen më të lartë të punësimit në BE – Estonia, Lituania dhe Republika Çeke në krye të renditjes
Kristi Ceta/SCAN
Në tremujorin e dytë të vitit 2024, shkalla e punësimit të personave të moshës 20 deri në 64 vjeç në Bashkimin Evropian ishte 75,8 për qind, me një rritje prej 0,2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e parë, sipas të dhënave të Eurostat.
Midis tremujorit të parë dhe të dytë të këtij viti, 3.2 milionë qytetarë të moshës 15-74 vjeç në BE, apo 24.0% e gjithë të papunëve gjatë kësaj periudhe, arritën të gjenin punë. Në të njëjtët muaj, 6.8 milionë ose 51.2% kanë mbetur të papunë dhe 3.3 milionë të tillë (24.8%) kanë kaluar jashtë fuqisë punëtore.
Estonia, me +1.0 pikë përqindjeje, Lituania me +0.9 dhe Republika Çeke me +0.8 shënuan rritjen më të lartë midis 18 vendeve të BE-së ku punësimi u rrit. Shkalla e punësimit mbeti e qëndrueshme në Itali, Poloni dhe Sllovaki dhe u ul në gjashtë vende të BE-së, ndërsa rënia më e madhe u regjistrua në Slloveni (-0,7 pp) dhe Finlandë (-0,4 pp).
Kur bëhet fjalë për të rinjtë, sipas të dhënave të fundit në korrik 2024, 2.8 milionë persona nën moshën 25 vjeç ishin të papunë, nga të cilët 2.2 milionë ishin në Eurozonë. Shkalla e papunësisë së të rinjve në BE ishte 14.5 për qind, që është më pak se 14.6 për qind në qershor, ndërsa në Eurozonë ishte 14.2 për qind.
Krahasuar me qershorin 2024, papunësia e të rinjve u ul me 25,000 qytetarë në BE dhe me 37,000 në Eurozonë. Në korrik 2024, shkalla e papunësisë për gratë ishte 6.1 për qind në BE, në raport me 6.2 për qind në qershor, ndërsa për burrat ishte 5.8 për qind.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.