Vendimi/ Qeveria mbyll gjimnazin “Mehmet Akif Ersoy”. Procedurat: Çfarë do të ndodhë me nxënësit e regjistruar
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar që në vitin 1996. Vendimi përcakton se institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:
a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Vendimi përcakton ngritjen e një grupi pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;
Po ashtu, vendimi përcakton marrjen e masave për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor si dhe administrimin e dokumentacionit lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan” për zbatimin e këtij vendimi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.