Viktima dhe kaos në SHBA për shkak të të ftohtit – 200 milionë amerikanë në alarm. Krishtlindjet më të acarta në 40 vjet
Vala e të ftohtit që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar të paktën 12 viktima. Lajmi është konfirmuar nga mediat amerikane. CNN raporton se të gjitha viktimat kanë humbur jetën në timonin e automjetit të tyre për shkak të rrugëve të ngrira dhe borës. I ftohti dhe erërat e forta vazhdojnë të ngadalësojnë transportet. Për momentin është Buffalo, në shtetin e New York, epiqendra e stuhisë dimërore me erëra të akullta me një shpejtësi prej 127 kilometrash në orë.
Nga veriu në jug të territorit amerikan 60% e popullsisë – rreth 200 milionë amerikanë – janë në gjendje alarmi për shkak të motit për atë që paralajmërohet të jetë Krishtlindja më e ftohtë e 40 viteve të fundit. ‘Cikloni bombë’, një stuhi shpërthyese që intensifikohet shumë shpejt, ka ulur temperaturat deri në minus 50 gradë në shtetet në veri të vendit.
Në Iowa, autoritetet kanë mbyllur pistat e patinazhit në akull me arsyetimin se është shumë e rrezikshme të qëndrosh jashtë ambienteve të ngrohta për më shumë se 15 minuta. Në Wyoming dhe Colorado – ku Denver regjistroi ditën e dytë më të ftohtë të historisë së tij – brenda një ore temperaturat ranë me 30 gradë duke shkaktuar shumë probleme në rrugë dhe infrastrukturat elektrike. Një milion e gjysëm persona janë në errësirë, dhe sidomos pa ngrohje. Ekspertët paralajmërojnë se situata do të përkeqësohet dhe më shumë në orët e ardhshme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.