Viti zgjedhor, Qeveria “zgjidh qesen”, 5.7 miliard lekë për pensionistët – Fondet special, 2.2 miliard lekë indeksim pensionesh. 3.55 miliard lekë bonusi i fundvitit
Viti zgjedhor 2023, është ndër të rrallët ku pensionistët mund të mësojnë që në muajin janar nëse do marrin apo jo shpërblim në fund të vitit apo sa do u indeksohen pensionet. Scan televizion ka zbardhur parashikimet e Qeverisë për fondet speciale për vitin që sapo ka nisur, ku përfshihet skema e sigurimeve shoqërore.
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2023, parashikohet në masën 161.6 miliardë lekë ose 7.4% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.2 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Në total, të dy zërat kapin vlerën e 5.7 miliardë lekëve, apo afërisht 57 milionë dollarëve.
Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 226.35 miliardë lekë, sipas Qeverisë.
Në vitin 2022, shpenzimet për fonde speciale priten të realizohen në masën 209.2 miliardë lekë ose 10.2% e PBB. Shpenzimet për fonde speciale për vitin 2023 krahasuar me të pritshmin e vitit 2022 rezultojnë 0.2 pikë përqindje më të larta, rritje që rezulton për shkak të përfshirjes dhe të bonusit të fundvitit pensionistit si politikë të miratuar që në fillim të vitit 2023.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.