Yield-i i bonove 12-mujore, në nivelin më të ulët – 3,17% në ankandin e fundit. Fare pranë normës bazë të interesit
Dorian Koça/SCAN
Norma mesatare e interesit të bonove të thesarit me maturim 12-mujor kanë regjistruar një tjetër nivel minimal. Në ankandin e fundit yeld-i mesatar i ponderuar arriti në 3,17%, me një rënie të lehtë ndaj ankandit paraardhës të një muaji më parë prej 3,19%, duke arritur fare pranë normës bazë të interesit prej 3%.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kërkesa e investitorëve ka qenë e lartë për pak më shumë se 9 miliardë lekë, nga të cilat u pranuan vetëm 7,3 miliardë lekë.
Rënia e yield-it mesatar të bonove 12-mujore duket se po ecën paralelisht me inflacionin, kur në muajin korrik sipas INSTAT u regjistrua në 2,1% në bazë vjetore. Niveli i ulët i interesit të bonove do të thotë edhe kosto më të lira për kredinë në lekë, çka ndikon në zgjerimin e huadhënies bankare. Nga ana tjetër, qeveria mund të financojë borxhin e brendshëm me kosto më të lirë.
Gjatë periudhës korrik-shtator Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë 19 ankande bono thesari dhe obligacionesh. Në këtë periudhë qeveria synon të sigurojë në tregun e brendshëm një hua prej 74,6 miliardë lekësh. Karakteristikë për këtë periudhë që përkon më së shumti me pushimet verore është se pjesa më e madhe e ankandeve janë për obligacionet.
Gjatë këtij viti është parashikuar që borxhi publik do të merret në masën më të madhe në tregun e brendshëm, në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve. Referuar planit vjetor të huamarrjes, totali i emetimeve të këtij viti pritet të jetë rreth 378.64 miliardë lekë. Investimi në tituj qeveritar konsiderohet si investimi më i sigurtë në vend.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.