Zbulohet plani i ri që “shpëton” bashkitë nga borxhet – Si do përdoren fondet e papërdorura nga një vit më parë
Detyrimet e prapambetura të 61 bashkive në vend, kanë qenë shqetësim i vazhdueshëm për qeverinë qendrore, e cila edhe pse ka vendosur kushte dhe afate për shlyerjen e tyre, ato kanë rezultuar të dështuara. Për këtë arsye, Ministria e Financave, ka hedhur për konsultim disa ndryshime në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore, që synon ti detyrojë në një farë forme bashkitë që të shlyejnë borxhet e prapambetura.
Kështu, referuar relacionit shoqërues të projektligjit, propozohet që fondet në buxhetet e pushtetit vendor, të pa përdorura dhe të trashëguara nga viti i kaluar dhe të pa angazhuara, të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe pagimin e nënhuave të papaguara në kohë.
Madje bashkive u vendoset kusht, që jo më pak se 30 përqind e ketyrë fondeve duhet të përdoren pikërisht për këtë qëllim. Një ndryshim synon të japë një pasqyrim më real të gjendje së stokut të detyrimeve të prapambetura, ndaj palëve të treta që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke bërë përllogaritjet jo më kundrejt shpenzimeve vjetore të miratuara, por kundrejt shpenzimeve vjetore faktike.
Kjo, për faktin se shpenzimet vjetore të miratuara janë më optimiste në të shumtën e rasteve. Ndryshimet ligjore synohen të hyjnë në fuqi më 1 janar 2023, në mënyrë që pushteti vendor të ketë bërë bilancin e buxhetit të një viti më parë dhë të mund të nisë përdorimin e fondeve.
Në fund të Shtatorit 2022, pushteti vendor regjistron një stok të detyrimeve të papaguara kundrejt bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e rreth 6.7 miliardë lekëve apo 56.5 milionë euro. Sa i takon këtij viti, 30.8 milionë euro janë detyrime të papaguara për investime publike, 5.2 milionë euro vendime të gjykatave dhe 5.8 milionë euro.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.