Zviceranët, të shqetësuar për financat e tyre – Qytetarët po vuajnë humbjen më të madhe të fuqisë blerëse në 80 vjet
Për herë të parë që nga viti 2017, zviceranët janë të shqetësuar për gjendjen e tyre financiare. Sipas një sondazhi të Institutit Innofact, 27.5% e të anketuarve besojnë se gjendja e tyre financiare do të përkeqësohet në vitin 2023. Në një anketë përkatëse për vitin 2022, kjo përqindje ishte vetëm 15.9%.
Për të ardhurat mujore deri në 4000 franga, përqindja e atyre që presin përkeqësim të financave arrin në 41.8. Për të ardhurat ndërmjet 4000-8000 franga norma është 28.1%, ndërsa për të ardhurat mbi 8000 franga është e kufizuar në 21%.
Në gusht 2022, inflacioni në vendin alpin kishte arritur në 3.5%, norma më e lartë në 30 vjet, por shumë nën mesataren e Eurozonës. Rritja i atribuohet kryesisht importeve, të cilat u rritën me 6.7% në bazë vjetore, ndërsa çmimet e mallrave të prodhuara në vend u rritën me vetëm 1.6%.
Që atëherë, inflacioni ka ardhur duke u ulur dhe në dhjetor ra sërish nën 3%. Për vitin 2023, banka qendrore zvicerane parashikon inflacion prej 2.4%, ndërsa Credit Suisse flet për 1.8%. Por, banka UBS paralajmëron se zviceranët “po vuajnë humbjen më të madhe të fuqisë blerëse në 80 vjet”, pasi rritja e pagave në janar 2022 nuk ishte më shumë se 1.1%.
Në sondazh, 71.2% e të anketuarve u shprehen se “inflacioni ka pasoja të rënda deri shumë të rënda për buxhetin familjar”. Analistët theksojnë se në vitin 2022 janë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme në tarifat e ngrohjes, që arritën në 50%, në biletat e avionëve me 23,8% dhe karburant me 10,8%. Që nga maji 2005 kostoja e ngrohjes është rritur me 205%.
Dorian Koça/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.