37% të sasisë së grurit e importojmë nga Rusia!- Si ka ndryshuar harta, bie ritmi i blerjeve nga jashtë
Vitin e kaluar vendi ynë është përballur me një situatë të pazakontë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e cila u pasua edhe me mbyllje të eksporteve të drithërave nga disa vende të rajonit, situatë që gjeti zgjidhje përmes një marrëveshje trepalëshe midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Paniku se do të mungonte furnizimi me grurë bëri që qytetarët të merrnin masa dhe të blinin mbi kapacitetin që konsumonin, ndërsa nga ana tjetër ministria e Bujqësisë inicioi një fushatë mbështetjeje financiare për fermerët shqiptarë, me qëllim kultivimin e grurit dhe rritjen e sipërfaqes me afro 20 për qind.
Por si rezultojnë importet gjatë këtij viti? Sipas të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në 8-mujorin e vitit 2023 janë importuar në total nga jashtë 107.6 mijë tonë grurë me një vlerë prej 3.6 miliardë lekë. Importi regjistrohet me rënie në sasi prej 60.1 mijë tonë dhe në vlerë me afro 4 miliardë lekë.
Shkaqet e rënies së importit lidhen me sasinë më të lartë të blerë nga jashtë vitin e kaluar dhe rezervat që kanë krijuar kompanitë si dhe orientimin drejt blerjes së produktit të prodhuar në vend përgjatë këtij sezoni, që erdhi si rezultat i mbështetjes së fermerëve, gjë që nxiti kultivimin.
Por a ka ndryshuar harta e importeve si pasojë e tronditjes së tregjeve ndërkombëtare? Nëse do të bëjmë një analizë referuar sasisë së blerë nga jashtë, rezulton se nëse gjatë 8-mujorit 2022 në vendin e parë renditej Serbia, ndjekur nga Rusia dhe Ukraina, kjo treshe vijon të dominojë edhe përgjatë këtij vitit, por duket se vendin e parë e kryeson Rusia me afro 37.4 për qind të totalit, ndjekur nga Serbia dhe Ukraina.
Këto janë shtetet që zënë edhe peshën kryesore në volum dhe vlerë. Ajo që vihet re nga shifrat është se shtete si Mali i Zi, Rumania apo Kroacia kanë dalë nga harta nga ku kompanitë importonin grurë dhe është fuqizuar Qipro, Britania e Madhe dhe Maqedonia e Veriut.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.