Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2026, 17:11

Fluturimi direkt Tiranë–Toronto, Shqipëria hyn në hartën e fluturimeve transatlantike

Nga SCAN TV

Fluturimi direkt Tiranë–Toronto, Shqipëria hyn në

Mbërriti sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, avioni i fluturimit të parë Transatlantik i linjës direkte me Kanadanë, Tiranë – Toronto, dhe anasjelltas duke shënuar kështu një arritje historike për aeroportin dhe sektorin e aviacionit në Shqipëri. Pasagjerët e këtij fluturimi u mikpritën me një ceremoni simbolike në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku morën pjesë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtues të aeroportit, përfaqësues të kompanisë ajrore dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia vijoi në ambientet e brendshme të aeroportit me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, i cili e cilësoi nisjen e fluturimeve direkte me Kanadanë si një zhvillim të shumëpritur dhe një tregues të transformimit të sektorit të aviacionit civil në Shqipëri.

 

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoni:

 

Besoj se shumë gjëra u thanë dhe nuk është e udhës që t’i përsëris, për të zgjatur këtë takim që ka një rëndësi të madhe për faktin se, për herë të parë, Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve Transoqeanike, gjë që deri dje do të ishte krejtësisht një fantazi e shfrenuar, ndërsa sot është një realitet, falë pikërisht uljes në Tiranë, në aeroportin e Rinasit, të avionit të parë nga Kanadaja, përkatësisht nga Toronto, i cili, siç e tha edhe përfaqësuesi i kompanisë, ishte plot. Ndërkohë, unë i them përfaqësuesit të kompanisë atë që u kam thënë të gjithë atyre që, kur kanë ardhur me linjat e tyre në Shqipëri, kanë filluar një herë në javë, dy herë në javë, nga meraku i kostove dhe nga frika e mosnxjerrjes së fitimit që: “Mos nguroni fare, sepse shqiptarët janë pa diskutim të parët në dy gjëra: në mesazhe celulare dhe fluturime me avion”. Dhe, pa diskutim që, linja juaj do të jetë shumë e suksesshme. Por tani, për ne, kjo është një gjë që ndodhi dhe i përket të kaluarës, edhe pse e kaluara është vetëm sot paradite, ndërkohë që objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi dhe linjën tjetër direkte, atë me Shtetet e Bashkuara. 

Edhe në raport me këtë objektiv është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe mund të them që jemi shumë më afër finalizimit sesa çfarë mund të mendonim vetëm pak vite më parë.

Të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme. Aeroporti i Tiranës prej disa vitesh mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve dhe mjafton shifra e ndryshuar e shtatë a nëntë viteve, nga 2016-a në 2025-ën, për të kuptuar se çfarë rritjeje marramendëse ka ndodhur me aeroportin e Tiranës.

Në 2016-n, kur filloi një fazë e re në punën e përbashkët për transformimin e mëtejshëm të aeroportit dhe modernizimin e aviacionit tonë civil, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë, një shifër që ne parashohim të kalojë 100 mijët në fund të kësaj dekade dhe në fillim të dekadës tjetër.

 

Ashtu si, nga ana tjetër, nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por është edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Aeroporti i Tiranës është një ndër aeroportet e para në Europë që ka hedhur hapin e kalimit të dixhitalizuar të check-in-it dhe të check-out-it. Ndërkohë, së shpejti, po këtu, ne do të hapim një kapitull të ri të transformimit dixhital të aeroportit dhe të modernizimit të mëtejshëm të tij: kapitullin e portave dixhitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli, nëse je shqiptar dhe nëse ke një pasaportë biometrike shqiptare.

 

Kjo do të bëjë që, për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në aeroportin e Rinasit, të jetë një hyrje si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë informacioni do të merret nëpërmjet Inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë.

 

Natyrisht që, ideja është që të fillojë me pasagjerët vendas dhe, menjëherë pas kësaj, t’i bashkohen pasagjerët e huaj, gjë që do të jetë një transformim i jashtëzakonshëm në shumë aspekte dhe sidomos edhe në një aspekt tjetër, që shpeshherë, ne e harrojmë këtu në Shqipëri, por që është një aspekt themelor për aviacionin: aspekti i sigurisë së aeroportit.

 

Jemi sot në një moment shumë të rëndësishëm edhe për faktin se tanimë Shqipëria e ka përmbyllur një fazë të re transformimi në turizëm dhe duhet të hyjë me patjetër në një fazë tjetër transformimi. Përpara se të vija këtu, po shikoja disa të dhëna dhe një sërë shifrash krahasimore, qoftë me të djeshmen, qoftë edhe me rajonin dhe më gjerë dhe një prej grafikëve që pashë dhe që ishte shumë kuptimplotë, ishte grafiku që tregon se si, aritmetikisht, ne kemi arritur pikërisht në momentin kur duhet të synojmë të hapim kapitullin e turizmit të gamës së lartë, të turizmit të konsumatorit të pasur, të turizmit që sjell më tepër të ardhura për një numër shumë më të vogël njerëzish. Dhe ai grafik e tregon më së miri që rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve që janë në kategorinë e turizmit masiv nuk sjell një rritje po të vazhdueshme të të ardhurave, por të ardhurat fillojnë edhe shkojnë në një grafik tjetër, në një trend tjetër, shumë shumë të ngadaltë rritjeje. Ama, nëse pastaj krahasojmë të ardhurat që rriten shumë ngadalë me shpenzimet që rriten shumë shpejt, si rezultat i rritjes së shpejtë të numrit të turistëve të masës, që do të thotë shumë më tepër presion mbi trafikun, shumë më tepër presion mbi sistemin tonë të pastrimit, shumë më tepër presion mbi përpunimin e mbetjeve, shumë më tepër presion mbi sistemet e ujit dhe të kanalizimeve dhe, patjetër, edhe nuk diskutohet, shumë më tepër presion tërësor mbi mjedisin, atëherë llogaria është shumë e thjeshtë.

Dhe është një llogari e thjeshtë për të gjithë ata që bien pre e një të menduari në dukje të drejtë, por në thelb tërësisht të gabuar që: “Për çfarë na duhet ne turizmi i gamës së lartë? Për çfarë na duhet ne? Për çfarë na duhen ne resortet ku vijnë ata që janë të pasur, kur ne nuk kemi akses në to?”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Na duhen sa më shumë nga ato, për të pasur sa më shumë të ardhura për ne, për të pasur sa më shumë të ardhura për komunitetin, për ekonominë, për biznesin dhe, natyrisht, pastaj për arkën e shtetit.

Kështu që jemi në këtë pikë: do të vazhdojmë të sjellim më shumë turistë, por ajo çka tanimë ne jemi shumë të qartë se si duhet t’i qasemi, është të sjellim më tepër të ardhura në familjet shqiptare dhe në arkën e përbashkët të shtetit shqiptar.

Në mbyllje, dua të shtoj se ka një projeksion profesional dhe shumë të qartë, po ashtu, për sfidën që kemi përpara, që është projeksioni i numrit të pasagjerëve që potencialisht do të hyjnë në Shqipëri në një dekadë më tutje dhe i numrit të fluturimeve që do duhet t’i përgjigjen këtij numri pasagjerësh. Kjo do të thotë që duhet të vazhdojmë të zgjerojmë sistemin tonë të aviacionit civil.

Të gjithë janë të informuar për disa vonesa të shkaktuara jo për shkak të shtetit apo për ndonjë fatkeqësi natyrore, por për shkaqe tërësisht të brendshme të kompanisë në aeroportin e Vlorës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim dhe objektivi ynë mbetet i palëvizshëm: që aeroporti i Vlorës, një tjetër aeroport ndërkombëtar me një potencial shumë të madh, do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda përbrenda kompanisë.

Jemi në fazën e përgatitjes së fundit për të çelur garën për aeroportin e Gjirokastrës, i cili do të jetë ndryshe nga Tirana dhe Vlora: një aeroport turistik dhe kryesisht sezonal. Dhe, pa diskutim që, nuk kemi asnjë arsye të heqim dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i aeroportit të Kukësit, edhe pse, kur vjen puna tek marrëveshjet për linjat ajrore, ato janë marrëveshje private që zhvillohen në një nivel të interesit të kompanive dhe të vetë aeroportit.

Dhe e fundit fare është që ne e kemi nisur këtë detyrë me vetëm 6.5% të popullsisë shqiptare që kishte akses në aviacion. Pra, vetëm 6.5% e shqiptarëve udhëtonin me avion ose mund të merrnin një avion kur ne e kemi nisur detyrën. Ndërkohë, sot që flasim, shifra ka shkuar në afro 40% e shqiptarëve që përdorin avionin. Është rezultat i hapjes së konkurrencës pas përfundimit të atij koncesionit të mëparshëm dhe të trashëguar, që e bënte të shtrenjtë, për hir të së vërtetës, fluturimin nga Shqipëria dhe për në Shqipëri, por pa diskutim edhe falë rritjes së të ardhurave të shqiptarëve, që është një fakt që mund ta diskutojmë dhe mund të diskutohet sipas dëshirës, por që, si çdo fakt, është i paluftueshëm nëse u referohesh të dhënave.

Falënderoj të gjithë dhe një falënderim të veçantë për ambasadoren e Kanadasë.

Nuk kam asnjë falënderim për përfaqësuesit e kompanisë. Përfaqësuesi i kompanisë ka ardhur këtu për të fituar para, edhe ne e mirëpresim dhe, patjetër, që na vjen shumë mirë, sepse sa më shumë të fitojë kompania, aq më shumë do të rritin fluturimet. Po falënderim nga unë, jo. Nuk keni bërë asnjë sakrificë, madje jeni dhe vonë, se duhet të kishit ardhur më përpara, por prapë jeni më përpara se ata që do të vijnë më mbrapa. Falënderimin e kam për ambasadoren, që ka bërë rrugë për të ardhur deri këtu. Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e aeroportit, falënderoj të gjithë punonjësit e sigurisë, falënderoj gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë këtu në aeroport. Në të gjitha kuptimet, mund të them që edhe nga pamja e raporteve njerëzore aeroporti është një vend tjetër. Jo se nuk ka momente që nuk janë mjaftueshmërisht të kënaqshme në komunikim, por gjithsesi, kur mendon se deri dje vije në Shqipëri, futeshe në aeroportin e vendit tënd dhe të shikonte polici më keq sesa të shikonin policët e aeroporteve të vendeve të tjera, që edhe ata nuk të shikonin mirë, sot besoj që kemi arritur një sukses historik, sepse kemi policë të buzëqeshur. E paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat