Aplikacionet që masin cilësinë e ajrit – Niveli i ndotjes në Europë konsiderohet alarmant
Dikur përdoreshin maskat për të na mbrojtur nga Covid dhe papastërtitë në ajër. Sapo pandemia u la pas, problemet me cilësinë e dobët të ajrit u rikthyhen në qendër të vëmendjes, të përforcuara nga zjarret.
Sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit – EEA, ndotja e ajrit u ul me 33% nga viti 2005 në 2019, megjithatë objektivat e BE-së përfshijnë një ulje prej 55% deri në vitin 2030. Për më tepër, nivelet aktuale janë ende alarmante, pasi ekspozojnë pothuajse të gjithë popullsinë europiane ndaj përqendrimeve të ndotësve më të lartë se pragjet e rekomanduara nga OBSH.
Njohja e indeksit të cilësisë së ajrit bëhet thelbësore jo vetëm për të kuptuar se si tendencat e motit dhe aktiviteti njerëzor mund të përmirësojnë ose përkeqësojnë skenarin global, por edhe për të marrë vendime të menjëhershme: Për shembull, nëse është apo jo një ide e mirë t’i çoni fëmijët në park ose të shkoni për vrap, me nivele ndotjeje që nuk janë saktësisht të favorshme. Gjithçka që ju nevojitet është një smartphone. Ka aplikacione të ndryshme të dobishme për monitorimin e Indeksit të Cilësisë së Ajrit.
Për shembull IQAir, për iOS dhe Android, i cili përveçse tregon nivelet e Cilësisë së Ajrit, arrin të japë edhe këshilla të dobishme për të parandaluar sëmundjet e frymëmarrjes në varësi të vendit ku ndodheni.
Kështu, nëse niveli i ndotjes është i lartë në qytet, aplikacioni ju fton të mbani dritaret në shtëpi të mbyllura, të mbani një maskë ose të shmangni aktivitetin sportiv në natyrë. Me një ‘widget’ në ekranin bazë të telefonit tuaj mund të monitoroni informacionin në kohë reale. Në mënyrë të ngjashme, matësit e ajrit në iPhone dhe Android tregojnë nivelin e ndotjes së ajrit dhe të dhënat për pluhurin e imët dhe polenin, me pasoja për ata që vuajnë nga alergjitë.
Pasi të keni zgjedhur qytetin, ju hyni në një skedë ku mund të shikoni nivelet e lagështisë, fuqinë dhe drejtimin e erës dhe parashikimin e motit, si dhe përqindjen e mundësisë së reshjeve. Për ata që kërkojnë informacion më të detajuar, aplikacioni ‘Plume Labs’ ndan harta gjithëpërfshirëse me pikat e ndotjes.
Aplikacioni ka gjithashtu një parashikim për orë të cilësisë së ajrit pasi nivelet shpesh ndryshojnë gjatë gjithë ditës. I disponueshëm për iPhone dhe Android, ‘Plume’ mund të dërgojë gjithashtu sinjalizime kur nivelet e Cilësisë së Ajrit përkeqësohen.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.