Ari, i qëndrueshëm pranë 2,040 USD – Investitorët presin të dhënat mbi punësimin në SHBA
Ari po tregtohet i qëndrueshëm edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi punësimin në SHBA, që do të publikohen të premten, dhe do të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale.
Ari po tregtohet në rreth 2040 dollarë për onz, i ndihmuar edhe nga rënia e yield-it të obligacioneve 10-vjeçare amerikane, në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit. Analistët shprehen se, ecuria e metalit të verdhë do të përcaktohet nga të dhënat mbi punësimin në SHBA, ndërsa niveli i rezistencës është pranë 2,000 dollarëve.
Të hënën, ari u ngjit deri në nivelin rekord prej 2,135 dollarë, për shkak të rritjes së basteve për uljen e interesave nga Fed, përpara se të binte me më shumë se 100 dollarë, për shkak të pasigurisë mbi kohën e lehtësimit të politikës monetare.
Tregtarët vlerësojnë 60% shanse për uljen e interesave nga Rezerva Federale në takimin e marsit 2024. Normat më të ulëta të interesit në SHBA ushtrojnë presion mbi yield-et e obligacioneve dhe dollarin, duke rritur çmimin për metalin e verdhë.
Ndërkohë, të dhënat e publikuara të martën treguan se hapja e vendeve të punës në SHBA ra në një nivel më të ulët në më shumë se 2 vite e gjysëm në tetor, duke sinjalizuar se rritjet agresive të normave të interesit kanë filluar të transmetohen në ekonomi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.