Bankat qendrore zgjedhin të blejnë më shumë ar – Në vitin 2022 u ble një sasi ari rekord që nga 1967
Bankat qendrore shtuan 1.136 ton ar me vlerë rreth 70 miliardë dollarë në rezervat e tyre gjatë vitit 2022. Kjo është një sasi rekord prej vitit 1967 sipas konfirmimit të këshillit botëror të arit.
Të dhënat nënvizojnë një ndryshim në qëndrimet ndaj blerjes së arit që nga vitet 1990 dhe 2000 kur bankat qendrore, në mënyrë të veçantë ato në Europën Perëndimore që zotërojnë shumë shufra ari dhe shisnin qindra ton të tilla në vit.
Që nga koha e krizës financiare në periudhën 2008 – 2009, bankat europiane ndaluan shitjen dhe një numër në rritje i ekonomive në zhvillim si Rusia, Turqia dhe India vazhduan të blinin. Bankat qendrore e pëlqejnë arin sepse pritet të ruajë vlerën e tij në kohë të trazuara dhe ndryshe nga monedhat dhe obligacionet, ai nuk mbështetet në asnjë emetues, apo qeveri.
Ari gjithashtu u mundëson bankave qendrore të diversifikohen larg nga aktivet si thesaret e SHBA-së dhe dollari. Analistët e Këshillit Botëror të Arit e konsiderojnë situatën si vazhdimin e një tendence. Një nga shtytësit kryesorë të saj është situata e krijuar vitin e kaluar në frontin gjeopolitik dhe atë makroekonomik që krijoi shumë pasiguri dhe paqëndrueshmëri.
Blerja u ul gjatë pandemisë së koronavirusit, por u përshpejtua në gjysmën e dytë të 2022, me bankat qendrore që blenë 862 ton midis korrikut dhe dhjetorit.
Bankat, duke përfshirë ato të Turqisë, Kinës, Egjiptit dhe Katarit thanë se blenë ar vitin e kaluar. Por rreth dy të tretat e arit të blerë nga bankat qendrore vitin e kaluar nuk u raportuan publikisht. Bankat që nuk kanë publikuar rregullisht informacione për ndryshimet në rezervat e tyre të arit janë ato të Kinës dhe Rusisë.
Blerjet e bankave qendrore çuan kërkesën totale globale për arin vitin e kaluar në 4.741 ton, 18% më shumë nga viti 2021 dhe më e larta për çdo vit që nga 2011.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.