BE përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës në Ukrainë!
Takimi i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor me kreun e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell që u zhvillua në Nju Jork, ku po mbahet sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kishte në fokus ndikimin që ka në rajon lufta në Ukrainë.
Josep Borrell u premtoi shteteve të Ballkanit Perëndimor se Bashkimi Europian, do t’i ndihmojë ata për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë edhe ato kibernetike”.
Në njoftimin e lëshuar nga zyra e Borrell thuhet se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të luftës së Ukrainës mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë, stabilitetit dhe sigurisë në Europë dhe botë”.
“Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjell lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja e përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”.
Në takimin me Borrell merrte pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit shkroi, se “në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbej si satelit asaj për destabilizim të rajonit”. Serbia është vendi i rajonit që refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Europian.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.