BE pezullon procedurat lehtësuese të vizave për turistë rusë!
Vendet anëtare të Bashkimit Europian vendosën të pezullojnë plotësisht marrëveshjen me Rusinë, që ka bërë të mundur deri tani lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave turistike Schengen nga shtetasit rusë.
Ky vendim vjen 15 vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lehtësimin e procedurave për viza turistike Schengen për shtetasit rusë. Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, e konfirmoi vendimin në konferencën për shtyp, pas një takimi jo formal të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, të zhvilluar të mërkurën (31.08) në Pragë, të fokusuar në pasojat globale të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Gjithsesi vendimi nuk e ndalon krejtësisht dhënien e vizave për shtetas rusë dhe nuk e bën të pamundur marrjen e vizës, tha Borrell në konferencën për shtyp. Marrëveshja mes BE dhe Rusisë për lehtësimin e procedurave të marrjes së vizave Schengen u pezullua pjesërisht në fund të shkurtit të këtij viti për shtetasit rusë, të afërt me Putin, biznesmenë dhe mbajtës pasaportash diplomatike. Pezullimi i pjesshëm nuk preku rusët e zakonshëm që deri tani kanë përfituar nga procedurat e lehtësimit të marrjes së vizave Schengen.
Vendimi erdhi pas kundërshtimit të Gjermanisë, të Francës dhe të Belgjikës për ndalimin e plotë të vizave për shtetasit rusë me arsyetimin që “kjo do të ndëshkonte edhe rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë, apo që dëshirojnë të hyjnë në vendet e BE për qëllime humanitare.”
- Ministrja e Jashme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha që “Gjermania u ka dhënë viza Schengen njerëzve që me guxim kanë vendosur të largohen nga Rusia, p.sh. gazetarëve që duan të raportojnë nga Bashkimi Evropian ose studentëve që largohen. Dhe unë dëshiroj që kjo mundësi për ata të vazhdojë.”
- Josep Borrell tha në konferencën për shtyp se “që nga mesi i korrikut ka pasur një rritje të konsiderueshme të kalimeve kufitare nga Rusia në shtetet fqinje, gjë që përbën një rrezik sigurie për këto shtete.”
- Burime nga zyra e shtypit të Këshillit Europian citojnë Ministrin e Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, sipas të cilit duke filluar nga 1 shtatori Finlanda do të japë vetëm 10 % të numrit të vizave që ka dhënë zakonisht, para vendimit të marrë tani nga BE-ja.
- Në Shqipëri po zhvillohen hetime ndaj dy turistëve rusë dhe një ukrainas të arrestuar dhe të dyshuar për spiunazh. Ata u kapën nga Policia e Shtetit kur tentuan të hynin në uzinën ushtarake në Gramsh, që konsiderohet objekt strategjik nga autoritetet vendase të mbrojtjes. Dy turistët rusë dhe ai ukrainas kanë mohuar se janë të rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse dhe kanë këmbëngulur se kanë ardhur në Shqipëri vetëm për turizëm.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.