Bizneset “harrojnë” deklarimet – QKB “mpreh tehun”, rrit arkëtimet me 378 % në raport me planin
Sipërmarrjet shqiptare që kanë si detyrim ligjor deklarimin e të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe nuk e kanë kryer atë në afat, janë kthyer në furnizuesin kryesor me të ardhura të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Konkretisht, masa e gjobave të vendosura për këtë kategori gjatë vitit që lamë pas arrin në 43.1 milionë lekë, ndjekur nga kundravajtje të tjera administrative ndaj bizneseve, në vlerën e 38.2 milionë lekë.
Pra në total, biznesi është detyruar të paguajë 81.3 milionë lekë gjoba, ku në raport me planifikimin e bërë nga QKB, rritja e të ardhurave nga këto dy zëra rezulton respektivisht 575% dhe 510 %. Shkaqet lidhen me miratimin e ligjit të ri në vitin 2020 për regjistrimin dhe deklarimin në Regjistrin e Pronareve Përfitues, ku afatet u shtynë disa here dhe bizneset patën vështirësi në deklarime dhe e dyta që i ka penalizuar lidhet me ofrimin e të gjitha shërbimeve online nga 1 Maji 2022, çka krijoi problematika të mëdha në deklarimet e që duhet të bënin subjektet.
Ndërkohë të ardhurat e QKB në tërësi, ku përfshihen edhe të hyrat nga qiratë dhe shërbimet, në 2022 arritën në 83.6 milionë lekë, apo 378 % më shumë në raport me planin.
Në raportin e saj vjetor, Qendra Kombëtare e Biznesit vlerëson se, me qëllim përmirësimin e legjislacionit në fuqi në fushën e licencimit/lejimit/autorizimit dhe regjistrimit të biznesit, duke marrë në konsideratë problematikat e hasura në praktikë nga subjektet dhe ofrimin e shërbimeve vetëm online nëpërmjet e-albania prej datës 1 Maj 2022, duhet rishikuar ligji i vitit 2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, vendimi i qeverisë i po këtij viti, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar”; Ligji i vitit 2007, “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar”; si dhe vendimi i qeverisë i vitit 2017, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar”.
Gjobat e QKB ndaj bizneseve
Gjoba për deklarim të vonuar në RPP 43.1 milionë lekë
Gjoba të tjera 38.2 milionë lekë
Totali 81.3 milionë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.