Kur moti dëmton ekonominë – “El Nino” rrit çmimet në tregjet globale të ushqimeve
Shfaqja e fenomenit periodik ‘El Nino’ në Oqeanin Paqësor pritet të shkaktojë presione të reja rritëse mbi çmimet e ushqimeve në muajt e ardhshëm, raporton Financial Times. Sipas saj fenomeni meteorologjik pritet të rrisë ndjeshëm temperaturën në zonat prodhuese të Azisë dhe Amerikës Qendrore në periudhën e ardhshme dhe të shkaktojë reshje të mëdha shiu në zonat e Amerikës së Jugut.
Ngjarjet e mëparshme të El Nino, veçanërisht në 2009 – 2010 dhe 2015 – 2016, kanë shkaktuar valë të zgjatura të nxehtit, thatësira dhe përmbytje të herëpashershme. E gjithë kjo kishte si pasojë probleme serioze në të korrat, me rritje të mëvonshme të çmimeve të ushqimeve.
Tregues i ndikimit të El Ninos është se, sipas analizave të episodeve të kaluara nga Banka Qendrore Europiane, një rritje me një gradë Celsius në temperaturë çon në një rritje prej më shumë se 6% të çmimeve globale të ushqimeve një vit më vonë nga fillimi i fenomenit.
“Kërcënimi” i El Nino për kuletat e familjeve në mbarë botën shton një sërë rreziqesh që tashmë ushtrojnë presione të forta inflacioniste mbi kostot e ushqimit.
Dy faktorët kryesorë që qëndrojnë pas pasigurisë globale ushqimore, përveç ‘El Ninos’, janë kolapsi i marrëveshjes për të eksportuar grurë ukrainas përmes Detit të Zi në korrik – me Rusinë që bombardon depot, portet dhe tragetet në Detin e Zi dhe Danub. Por dhe ajo që po ndodh në Indi me vendimin për ndalimin ose kufizimin e të eksporteve të të gjitha varieteteve të orizit me qëllim parandalimin e rritjes së çmimit në tregun vendas.
Duke qenë se Rusia, Ukraina dhe India kanë qenë historikisht tre nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave, misrit, vajit dhe orizit, këto zhvillime kanë ngritur shqetësime serioze në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe transportit. ‘Veteranët’ e tregut gjithashtu vënë në dukje se ekziston edhe rreziku i lëvizjes së kontejnerëve, që do të thotë se mungesa e qoftë edhe një malli si gruri mund të shkaktojë një efekt domino në çmimet e orizit, duke qenë se është alternativa më e lehtë për shumë konsumatorë, veçanërisht në botën në zhvillim.
Shqetësim shtesë është shkaktuar nga mundësia e kufizimit të eksporteve të sheqerit indian si pasojë e mungesës së ujit të vërejtur në zonat e prodhimit muajt e fundit. Indeksi Botëror i Ushqimit i OKB-së, i cili ka qenë në rënie pothuajse të vazhdueshme që nga vera e kaluar, u rrit me 1.5 pikë midis qershorit dhe korrikut.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.