Bizneset në Britani, më optimiste – Shpresa për ecurinë e pagave dhe ulje të inflacionit
Bizneset britanike ishin më të sigurta gjatë muajit mars 2023 përsa I përket ecurisë së tyre dhe pritjet për çmimet, të cilat po vëzhgohen nga Banka e Anglisë teksa vendi përballet me inflacionin e lartë, tregoi një sondazh I fundit.
Barometri i Biznesit i Lloyds Bank u rrit në mars me 11 pikë në 32%, i ndihmuar nga rritja e optimizmit për perspektivën e ekonomisë. Sondazhi iu shtua shenjave të tjera që kanë sugjeruar se Britania mund të anashkalojë një recesion që shumë ekspertë dhe institucione më parë mendonin se ishte shumë i mundshëm.
Pritjet për ecurinë e pagave, që vëzhgohen nga afër prej Bankës së Anglisë, u forcuan pak në mars, por Lloyds tha se zbuloi sinjale paraprake se ato kishin arritur kulmin nga nivelet më të larta të vitit të kaluar.
Sipas ekspertëve, besimi i biznesit ka regjistruar një rritje këtë muaj me optimizmin ekonomik dhe perspektivat tregtare që forcojnë firmat. Në muajt e ardhshëm mund të regjistrohet rritje e punësimit, ndërsa shenjat paraprake të lehtësimit të presioneve mbi pagat, sugjerojnë se vështirësitë e bizneseve në gjetjen e stafit mund të kenë filluar të lehtësohen.
Sondazhet e fundit të bizneseve të publikuara javën e kaluar treguan se sektori privat i Britanisë u zgjerua në mars, megjithëse më ngadalë se në shkurt. Banka e Anglisë tha në fillim të këtij muaji se pret që ekonomia të zgjerohet pak në tremujorin e dytë, një përmirësim nga parashikimi i saj në shkurt për një rënie prej 0.4%.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.