Bursat europiane i rikthehen humbjeve – Ekonomia e Eurozonës ra me 0.1% në tremujorin e tretë
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, duke pasuar humbjet e tregjeve aziatike dhe atyre amerikane. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie me 0.3%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor negativ. Kompania franceze, Air France-KLM është në rënie me mbi 5%, pasi Reuters raportoi se analistët e JPMorgan e kanë ulur objektivin e çmimit të aksioneve të kësaj kompanie.
Investitorët ishin në pritje të të dhënave të rishikuara mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe mbi punësimin në Eurozonë, për tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat, ekonomia e Eurozonës ra me 0.1% në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Ndërsa gjatë tremujorit të dytë, sipas të dhënave të rishikuara, si Eurozona ashtu edhe Bashkimi Europian u rritën me 0.1%. gjithashtu, Eurostat njoftoi se numri i personave të punësuar u rrit me 0.2% për Eurozonën dhe për Bashkimin Europian, gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Gjithashtu, tregjet po presin edhe të dhënat mbi punësimin për nëntorin në SHBA, që do të publikohen të premten. Ndër zhvillimet e tjera, çmimet e banesave në Mbretërinë e Bashkuar u rritën për të dytin muaj radhazi në nëntor, një shenjë se oferta e shtrënguar po ngadalëson rënien e tregut.
Investitorët janë të shqetësuar edhe për ngadalësimin e ekonomisë kineze, që e detyroi agjencinë e vlerësimit, Moody’s të zhvlerësojë nivelin sovran të vendit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.