Buxheti i pasigurive të mëdha! – Qeveria greke, me parashikime optimiste për 2022-2023!
Një projektbuxhet me pasiguri të mëdha, për shkak të krizës energjetike, paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe recesionit të mundshëm në Europë, është dokumenti që u paraqit një ditë më parë në Parlamentin e Greqisë. Por, pasigurinë e shtojnë edhe zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në gjysmën e parë të vitit 2023.
Drafti parashikon për vitin 2023 një suficit primar prej 0.7% të PBB, pak më i ulët se 1.1% e PBB të Programit të Stabilitetit. Kjo ulje siguroi hapësirë për një shpenzim prej 1 miliard euro, në mënyrë që subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike në Greqi të vazhdojë në vitin 2023. Diçka që nuk ishte parashikuar në Programin e Stabilitetit prillin e kaluar.
Viti 2022 parashikohet të mbyllet me një deficit primar prej 1.7% të PBB, më i ulët se 2% e parashikuar e PBB-së në Programin e Stabilitetit. Sipas ekspertëve, qeveria greke dëshiron t’u dërgojë një mesazh institucioneve dhe tregjeve se nuk tërhiqet nga objektivat e saj të stabilitetit fiskal.
Sipas ministrit të Financave, Christos Staikouras, përmbushja e objektivave realiste fiskale është pasaporta për të hyrë në tregje, për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit, në mënyrë që të ruhet perspektiva pozitive e rritjes ekonomike të vendit për vitet e ardhshme.
Qeveria parashikon rritje të PBB prej 5.3% këtë vit dhe 2.1% në 2023. Për këtë vit, rol vendimtar luajnë turizmi dhe konsumi, ndërsa për vitin 2023, faktor vendimtar në parashikimet e qeverisë janë investimet, që pritet të rriten me 16%.
Inflacioni vlerësohet në 8.8% këtë vit dhe 3% në 2023, një rënie që shihet si mjaft optimiste nga analistët, bazuar në të dhënat e fundit.
Norma e lartë e rritjes së kombinuar me inflacionin, pritet të ndikojnë pozitivisht në borxhin publik që parashikohet të bjerë nga 193.3% e PBB në 2021, në 169.1% këtë vit dhe 161.6% në 2023.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.