Bota Postuar më 11 Korrik 2026, 11:28

Meta rrezikon gjobë të majme nga BE/ Dizajnet e Facebook dhe Instagram krijojnë varësi për të rinjtë

Nga Lidion Kulla

Meta rrezikon gjobë të majme nga BE/ Dizajnet e Facebook dhe Instagram

Dizajnet “që krijojnë varësi” të Instagram dhe Facebook kanë bërë që kompania Meta të shkelë ligjet dixhitale të Bashkimit Europian. Në këtë përfundim ka arritur Komisioni Europian, në një raport të publikuar të premten. “Gjigandi i teknologjisë ka shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së, duke mos i marrë në konsideratë në mënyrë të duhur rreziqet që lidhen me tiparet e dizajnit, që ndikojnë në mirëqenien fizike të përdoruesve, përfshirë të miturit dhe të rriturit vulnerabël”, tha Komisioni Europian.

Në shkelje përfshihen “scroll”-et e pafundme, që shfaqin vazhdimisht përmbajtje të freskët, “autoplay”, njoftimet dhe sistemet e rekomandimeve shumë të personalizuara, duke i shtyrë konsumatorët t’i përdorin pafundësisht platformat dhe duke i vendosur ata në “modalitetin autopilot”.

Komisioni Europian e akuzon gjithashtu Metan për injorimin e informacionit të disponueshëm, në lidhje me kohën që të rinjtë kalojnë në Instagram ose Facebook natën, dhe se si llojet e ndryshme të formateve të përmbajtjes, mund të çojnë në përdorimin e tepërt të shërbimeve të saj.

Komisioni shtoi se Meta nuk ka bërë mjaftueshëm për të zbutur këto rreziqe dhe duhet të ndryshojë dizajnin, deri në çaktivizimin e “autoplay” dhe “scroll”-in dhe të aplikojë pushime gjatë kohës së kaluar përpara ekranit. Meta përballet me një gjobë deri në 6% të xhiros së saj totale vjetore, nëse konfirmohen gjetjet e Komisionit.

“Ne nuk pajtohemi me këto gjetje paraprake, të cilat nuk i marrin parasysh hapat e rëndësishëm që kemi ndërmarrë për të mbrojtur adoleshentët”, tha një zëdhënës i Meta. Që nga fillimi i hetimit, Meta ka krijuar Llogari për Adoleshentët, që “i mbrojnë automatikisht ata dhe u japin kontroll prindërve”. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që Komisioni Europian ka gjetur se Meta ka shkelur rregullat e saj. Në prill, tha se kompania nuk kishte arritur të parandalonte aksesin e personave nën 13 vjeç në platformat e saj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat