Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2026, 09:52

Shpallen fituesit për bypass-in e Elbasanit/ Kontratat me vlerë rreth 3.93 mld lekë, pa TVSH për 2 lotet e parë

Nga Ola Mitre

Shpallen fituesit për bypass-in e Elbasanit/ Kontratat me vlerë rreth

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e dy procedurave për ndërtimin e rrugës lidhëse mes aksit Tiranë – Elbasan dhe Korridorit VIII, dy kontrata që përbëjnë fazat e para të bypass-it të Elbasanit.

Për fazën I, me fond limit prej 3.3 mld lekësh, fitues është shpallur shoqëria “2 T”, me ofertë prej 2.13 mld lekësh, pa TVSH, ose rreth 35% më të ulët se fondi limit. Ndërkohë, për fazën II, me fond limit prej 2.5 mld lekësh, fituese është shpallur “Salillari”, me ofertë prej 1.8 mld lekësh pa TVSH, rreth 28% nën fondin limit.

Tenderët, me një fond limit total prej rreth 5.8 mld lekësh, përfshijnë ndërtimin e rrugës lidhëse mes aksit Tiranë – Elbasan dhe Korridorit VIII, një segment rreth 4 km i gjatë që përbën pjesë të bypass-it të Elbasanit. Traseja nis përpara rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik.

Ky investim synon të reduktojë ngarkesën e trafikut në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan, veçanërisht në zonën e Bradasheshit, e cila prej vitesh konsiderohet një nga pikat më problematike për qarkullimin e automjeteve.

Bypass-i i Elbasanit është pjesë integrale e Korridorit VIII dhe do të krijojë lidhjen ndërmjet dy segmenteve kryesore që janë aktualisht në zhvillim, Elbasan – Lekaj dhe Elbasan – Qafë Thanë.

Sipas dokumenteve të projektit, realizimi i bypass-it pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit, të lehtësojë trafikun në qytetin e Elbasanit, të reduktojë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë sigurinë rrugore. Investimi është përfshirë edhe në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, ku bypass-i i Elbasanit vlerësohet me një kosto totale prej rreth 240 mln eurosh.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat