Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2026, 14:02

Ministri Lamallari, apel për parandalimin e zjarreve - 227.7 milionë lekë për pagesat shtesë të efektivëve

Nga Diamila Leka

Ministri Lamallari, apel për parandalimin e zjarreve - 227.7 milionë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari përmes njoftimeve në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve duke theksuar se çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut rrezikon jetën e qytetarëve, pronën, pyjet dhe pasuritë natyrore, ndërsa përbën një vepër penale që ndëshkohet me masa të ashpra. Ministri Lamallari nënvizon se mbrojtja e vendit nga zjarret është një përgjegjësi e përbashkët.

“Zjarrvënia nuk është pakujdesi, por krim që ndëshkohet me burgim. Çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut është një kërcënim për jetën, pronën, pyjet dhe të mirën e përbashkët. Kërkohet më shumë përgjegjësi qytetare dhe gatishmëri për të mbrojtur çdo qytetar dhe shmangur katastrofa”, shkruan ministri Lamallari.

Ndërkohë minstri Lamallari thekson se me aktin normatin të Buxhetit 2026, u shtua 227.7 milionë lekë financim për shërbimin e Mbrojtjes nga zjarri dhe Shpëtimi duke përmirësuar trajtimin financiar të efektivëve për orët shtesë, punën e natyrës si dhe punën në ditët e pushimit dhe festat zyrtare.

Ministri, rikujtoi se me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, janë ashpërsuar ndjeshëm dënimet për zjarrvënien, në varësi të rrethanave dhe pasojave të veprës penale. Zjarrvënia e qëllimshme dënohet me burgim nga 5 deri në 8 vjet kur kryhet gjatë stinës së nxehtë, në kushte që favorizojnë përhapjen e zjarrit ose pranë zonave të banuara, nga 4 deri në 10 vjet kur prek zona të mbrojtura, objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti, monumente kulture ose infrastrukturë kritike; ndërsa dënimi arrin nga 7 deri në 15 vjet burg kur zjarrvënia kryhet me qëllim ndryshimin e kategorisë ose destinacionit të tokës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat