Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2026, 12:08

Prezantohet “Rilindja Urbane 2.0”, 11 objektiva strategjikë - Kryeministri Rama: Programi, investim prej 1.5 miliardë euro

Nga Alida Lula

Prezantohet “Rilindja Urbane 2.0”, 11 objektiva strategjikë -

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili parashikon një fond prej 1.5 miliardë eurosh për vijimin e transformimit të qyteteve dhe hapësirave publike në Shqipëri.

Rama theksoi se ky program nuk përfaqëson vetëm vazhdimin e nismës së parë të Rilindjes Urbane, por një fazë të re zhvillimi që vjen si përgjigje ndaj rritjes së pritshmërive të qytetarëve. Përmirësimi i kushteve të jetesës ka bërë që mangësitë të jenë më të dukshme dhe më pak të pranueshme. Ai u shpreh se kjo nuk lidhet me mosmirënjohjen e qytetarëve, por me kërkesën për standarde më të larta.

 “Programi “Rilindja Urbane 2.0″ vendos në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 miliardë eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij programi të ri dhe programit të parë të rilindjes urbane, por me arsyet, që na çojnë në këtë program. Sa më shumë përmirësohen kushte, aq më shumë bie në sy sie papranueshëm ajo që mungon”,- tha Rama.

Kryeminsitri u shpreh se “Rilindja Urbane 2.0” do të jetë një nga instrumentet kryesore për të përballuar këtë fazë të re zhvillimi, duke shtuar se programi i parë e ka përmbushur funksionin e tij dhe se tashmë synimi është kalimi në një nivel tjetër të transformimit urban në të gjithë vendin.

“Kjo nuk është mosmirënjohje, por është pritshmëri për standarde të tjera. Programi është një nga instrumentet, që e adreson këtë fazë të re duke u nisur nga prezumimi që rilindja urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj, tani duhet kaluar përtej.”, - tha Rama.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prezantoi disa prej projekteve që pritet të zbatohen në territor. Në kuadër të paketës së re të mbështetjes, synohet krijimi i 70 muzeve bashkiakë, të fokusuar te traditat dhe identiteti lokal. Demo bëri të ditur gjithashtu se një tjetër prioritet do të jetë zgjidhja e problematikës së parkimit në qytete, për të cilën parashikohet një investim prej 120 milionë eurosh.

“Me këtë paketë dhe këtë mbështetje financiare, kjo paketë do të krijojë 70 muze bashkiakë, që do të fokusohen te traditat lokale. Ne po punojmë që të zgjidhim edhe çështjen e parkimit. 120 milionë euro do të harxhohen për ta zgjidhur këtë çështje”- deklaroi Demo.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi vizionin e qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e sipërmarrjes gjatë prezantimit të programit “Rilindja 2.0 “.

“Rilindja urbane ka sjellë më shumë zhvillim për Shqipërinë dhe programi që prezantuam sot, përtej rivitalizimit të hapësirave urbane, ka një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Çdo komponent i tij synon të krijojë më shumë zhvillim dhe më shumë mundësi për qytetarët dhe biznesin”, - tha Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se ekonomia shqiptare vijon të jetë e përqendruar kryesisht në Tiranë, e cila gjeneron rreth gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ndërsa të ardhurat për frymë janë rreth 40% mbi mesataren kombëtare. Sipas saj, objektivi i qeverisë është që ritmi i zhvillimit ekonomik të shtrihet në të gjitha bashkitë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat