Çmim tavan “dinamik” për gazin natyror – Propozimi i Komisionit Europian për të lehtësuar krizën energjetike
Agjencia Reuters ka zbuluar detajet e çmimit tavan “dinamik”të gazit natyror në Bashkimin Europian, i cili pritet të propozohet nga Komisioni këtë javë. Në kuadrin e përpjekjeve për t’u larguar nga burimet ruse të energjisë, Komisioni do të përdorë këtë “masë të fundit” për të frenuar rritjen e pakontrolluar të çmimeve të energjisë.
Sipas propozimit të parë nga agjencia, do të ketë gjithashtu një kufi të detyrueshëm për diapazonin e luhatjes së çmimeve në ditë për kontratat njëmujore për produktet energjetike. Siç është raportuar, Agjencia Europiane për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) do të jetë përgjegjëse për përcaktimin e një çmimi tavan për gazin natyror të lëngshëm deri më 23 mars 2023.
Komisioni propozon ndërhyrje të mundshme në bursën holandeze, që përdoret si pikë referimi për kontratat dhe përfundimisht çmimeve të gazit në Europë.
Si masë të fundit, Komisioni Europian do të propozojë vendosjen e një çmimi “dinamik” tregu me të cilin transaksionet e gazit natyror mund të kryhen në tregun e ditës së ardhshme në kushte specifike.
Siç thuhet në draft, këto masa nuk duhet të ndikojnë në sigurinë e furnizimit, as të çojnë në rritje të konsumit të gazit dhe të ndikojnë në funksionimin e tregut të energjisë.
Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të duhet të pajtohen me këtë propozim specifik, i cili nuk do të zgjasë më shumë se tre muaj. Qendra të tjera të tregtimit të gazit të BE-së do të lidhen me çmimin e korrigjuar në tregun e ditës së ardhshme në bursën holandeze nëpërmjet një “korridori” dinamik çmimesh.
Në draftin e Komisionit thuhet gjithashtu se deri më 31 janar duhet të vendoset kufiri ditor i luhatjes së çmimeve për kontratat njëmujore për produktet energjetike.
Të gjitha propozimet e mësipërme duhet të miratohen nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.