Drejtori i Volkswagen trondit gjermanët – “Nuk jemi më konkurrues”. Njoftohen reduktime “të dhimbshme”
Drejtori ekzekutiv i Volkswagen për prodhimin e automjeteve të pasagjerëve, Thomas Schaefer, tha atë që ka qenë e dukshme prej disa kohësh, por që megjithatë rezonoi në publikun gjerman si shpërthimi i një bombe bërthamore, të hedhur ndaj simbolt të suksesit ekonomik gjerman. Ai theksoi se me shumë nga strukturat e mëparshme, proceset dhe kostot e larta, VW nuk është më konkurruese si markë.
Në disa vende, automjetet Volkswagen ishin jo vetëm zgjedhja e parë për blerjen e një makine, por edhe e vetmja zgjedhje për dekada, kështu që deklarata për moskonkurrueshmërinë e Golf, Passat, Tiguan do të përballet me rezerva dhe skepticizëm, por është mjaft e sigurtë se në gjigantin gjerman të automobilave do të pasojnë ndryshime të mëdha. Schaefer dëshiron të arrijë atë që ai e sheh si konkurrencë përmes një sërë shkurtimesh. Ekspozimi i problemeve të Volkswagen është një goditje shtesë për të ashtuquajturin “koalicioni semafor qeverisës”.
Por zëdhënësit e Volkswagen sqaruan për gazetën gjermane Bild se Schaefer nuk u shpreh në mënyrën më të saktë. Ata pretendojnë se deklarata ‘nuk jemi konkurrues’ nuk i referohej markës VW, por kostove administrative, kostove të punës në Gjermani dhe niveleve të produktivitetit. Për këtë arsye, sipas tyre VW do të zbatojë një program për përmirësimin e performancës.
Sido që të jetë, është e qartë për të gjithë se, pavarësisht se VW është një kompani që ka akumuluar miliarda euro fitime për dekada të tëra, do të duhet të shkojë sërish në rrugën e prodhuesve të tjerë.
Në Tesla, për shembull, tashmë kanë ulur ndjeshëm kostot e prodhimit dhe tani kanë një fitim shumë më të lartë për cdo automjet të shitur. Rivalët e tjerë kryesorë të VW, si Stellantis dhe Renault, po punojnë gjithashtu për të rritur konkurrencën përmes uljes së kostove. Ata tashmë kanë nisur programet e tyre shtrënguese.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.