“Ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3,2%” – Parashikimi i Bankës Botërore ul pritshmëritë e qeverisë
Në raportin më të fundit të Perspektivës ekonomike Globale, Banka Botërore parashikon se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të rritet me 3,2% gjatë vitit që sapo ka nisur. Kjo shifër është më poshtë pritshmërive për vitin e kaluar, ku gjithnjë sipas këtij institucioni pritet të mbyllet me një rritje prej 3,6%.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë ministri i Financave, Ervin Mete, në konferencë për mediat deklaroi se pritshmëritë e qeverisë janë që viti 2024 të jetë më i mirë se ai kaluar dhe të regjistrojë zgjerimin e ekonomisë me 3,8%.
Duke ju rikthyer parashikimeve të Bankës Botërore, vërehet se edhe për vitin 2025 ekonomia shqiptare pritet të jetë në të njëjtin hap me 2024-ën, pra 3,2%. Duhet theksuar se për këto dy vite institucioni financiar ndërkombëtar në këtë raport të fundit ka ulur pritshmëritë me 0,1 pikë përqindje krahasuar me raportin e muajit qershor.
Përsa i përket rajonit, Banka Botërore pret që Kosova të ketë rritjen më të lartë me 3.9%, Mali i Zi me 3.2%, Serbia 3% dhe Bosnje e Hercegovina me 2,8%. Në vendin e fundit pritet të qendrojë Maqedonia e Veriut, Prodhimi I Brendshëm Bruto i së cilës parashikohet të rritet me vetëm 2,5% gjatë vitit 2024.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.