Energjia, Greqia e treta më e shtrenjtë në BE – Megjithëse ka subvencionet më të larta të energjisë elektrike
Familjet greke paguajnë çmime shumë të larta për energjinë elektrike dhe gazin natyror në krahasim me të ardhurat e tyre reale, edhe pas subvencioneve të larta, që janë më të lartat në Europë. Sipas raportit të Shoqatës së Autoriteteve Rregullatore të Energjisë në BE (ACER), në vitin 2022 Greqia regjistron koston e tretë më të lartë të energjisë elektrike për familjet në të gjithë Europën, pas Portugalisë dhe Norvegjisë dhe e treta më e lartë për gazin natyror, pas Bullgarisë dhe Gjermanisë, krahasuar me të ardhurat reale të familjeve.
Edhe para krizës, Greqia ishte në krye të listës, por shifrat tregojnë një përkeqësim nga viti 2020, kur ishte në vendin e pestë. Sipas raportit, përqindja e të ardhurave që familjet greke shpenzojnë për të paguar faturat e energjisë elektrike në vitin 2022 tejkalon 6% nga pak më shumë se 4% në 2020, dhe është më e larta pas Portugalisë (pranë 8%) dhe Norvegjisë (mbi 7%). Por, raporti thekson se Greqia ofron subvencionet më të larta për sa i përket PBB-së, duke kaluar 3.5%.
Përsa I përket faturave të gazit natyror, Greqia zë vendin e tretë, pas Bullgarisë dhe Gjermanisë, edhe për të ardhurat dhe shpenzimet, me përqindjen që arrin afërsisht 13% në vitin 2022, kundrejt 3% në 2020.
Ndërkohë, në vitin 2021 Greqia ishte vendi me përqindjen më të vogël të matësve inteligjentë pranë 15%, krahasuar me mesataren europiane prej 54%. Raporti thekson se mungesa e matësve inteligjentë është një pengesë për rritjen e pjesëmarrjes së konsumatorëve në treg.
Në vitin 2020, Greqia renditet e para në listën e vendeve europiane me borxhet më të larta të konsumatorëve në nevojë, që arriti në 50%, krahasuar me 14.6% të mesatares europiane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.