Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 11:02

Demo: Kalimi i kabllove në infrastrukturë nëntokësore, hap drejt qyteteve më moderne dhe më të sigurta

Nga Edel Strazimiri

Demo: Kalimi i kabllove në infrastrukturë nëntokësore, hap

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi platformën e re për zhvillimin e infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, një nismë e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), e cila synon përmirësimin e pamjes dhe sigurisë së qyteteve.

Gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive, ku morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe drejtuesi i AKEP-it, Gentian Sula, Demo theksoi se pushteti vendor po hyn në një fazë të re zhvillimi, të lidhur ngushtë edhe me procesin e integrimit europian.

Sipas tij, kjo qasje është pjesë e programit kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili pritet të prezantohet së shpejti dhe synon të përmirësojë cilësinë e hapësirave publike, funksionalitetin e qyteteve, identitetin lokal dhe përputhjen me standardet europiane të zhvillimit urban.

Demo nënvizoi se zhvillimi i bashkive duhet të mbështetet në një planifikim të integruar, ku infrastruktura, shërbimet dhe investimet të ecin paralelisht, e jo përmes ndërhyrjeve të fragmentuara.

Ai veçoi si prioritete modernizimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për hartimin e projekteve cilësore, me qëllim përfitimin e më shumë fondeve nga Bashkimi Europian.

Ministri vlerësoi progresin e bërë gjatë dekadave të fundit në zgjerimin e rrjeteve të komunikimit, duke theksuar se qytetarët dhe bizneset kanë sot akses më të madh në shërbimet digjitale. Megjithatë, ai pranoi se zhvillimi i shpejtë ka sjellë edhe problematika, si vendosja pa standarde e kabllove ajrore dhe shtyllave të improvizuara, të cilat cenojnë estetikën urbane dhe krijojnë rreziqe për sigurinë publike.

"Sfida jonë është që këto rrjete të përshtaten me standardet bashkëkohore. Kalimi nga kabllot ajrore drejt infrastrukturës nëntokësore është një hap i domosdoshëm për qytete më funksionale dhe më të sigurta", u shpreh Demo.

Ai shtoi se në çdo zonë ku do të realizohen ndërhyrje, synimi nuk është vetëm përmirësimi i pamjes urbane, por edhe vendosja e një modeli të ri planifikimi, ku infrastruktura të projektohet që në fazën e zhvillimit të territorit.

Sipas ministrit, kjo nismë pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në qytetet shqiptare, duke kontribuar njëkohësisht në përmbushjen e standardeve që kërkon procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat