Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 10:32

“Shqipëria nis pagesat e shpejta në nëntor” - Bregu: Infrastruktura thuajse gati. Një institucion financiar jobankë, pjesë e SEPA në gusht

Nga Ledina Elezi

“Shqipëria nis pagesat e shpejta në nëntor” - Bregu:

Pagesat e menjëhershme pritet të jenë një realitet për Shqipërinë në nëntor të këtij viti, kur të nisë zyrtarisht zbatimi i sistemit të instant payment. Në një intervistë për Televizionin Scan, Drejtoresha e Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, u shpreh se pas punës së bërë nga Banka e Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave teknike për lidhjen me TIPS, klon i Bankës së Italisë, qytetarët do të kenë mundësi së shpejti të kryejnë transferta brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe në 7 ditë të javës.

Kur dëshironi të bleni një produkt, tregtari do t'ju ofrojë një kod QR që ta skanoni nëpërmjet telefonit dhe të kryeni menjëherë pagesën, pa qenë nevoja të nxirrni kartën dhe pa përdorur një terminal POS. Aktualisht, dy vende të tjera të rajonit kanë nisur zbatimin e sistemit të pagesave të shpejta.

“Objektivi më aktual është nëntori, që do të thotë në nëntor, koordinuar dhe me gjithë tregun bankar dhe jobankar, do të dalim live me infrastrukturën e Instant Payment, që do të thotë, pagesa shumë më të shpejta në kohë reale, brenda maksimumi 20 sekondave, në platformën e TIPS-clone, që është një platformë e ofruar nga Banka e Italisë, është identike me platformën e e ECB-së, të Bashkimit Evropian, që është platforma TIPS. Një synim shumë i madh është njëkohësisht dhe konkurrueshmëria e transaksioneve me karta, pra, do të ofrohen modele, një model i pagesave me QR code, i cili i mundëson tregtarëve të ofrojnë pagesa elektronike, pavarësisht cilën bankë apo jobankë zgjedhin, në mënyrë dhe në një formë apo me një kosto shumë më të lirë sesa transaksionet me kartë dhe me POS”, tha Bregu.

Duke nisur nga tetori i vitit të kaluar, bankat do të realizonin transferta ndërkufitare me kosto 5-10 herë më të ulët përmes SEPA. Drejtoresha e Sistemeve të Pagesave deklaroi se në fillim të gushtit, Zonës Unike të Pagesave në Euro do t'i shtohet edhe një institucion financiar jobankë.

“Për fatin e mirë, jemi të parët në Ballkan që ka një institucion financiar jobankë, i cili del live në fillim të muajit gusht, i cili do të ofrojë transferta krediti në SEPA. Dëshira dhe nevoja e tyre për të bërë edhe ato transferta krediti në SEPA për të përfituar ka qenë goxha e madhe gjatë procesit të integrimit në këtë zonë unike. Është disa më me komplekse sesa bankat, pasi janë institucione financiare më të vogla, kanë një kredibilitet ende të paprovuar, kështu që është një ushtrim shumë më kompleks për ta që t'i tregojnë, le të themi, kundërpalëve të tyre në sistemet e pagesave evropiane që janë po aq të sigurta, po aq efektive, efiçente për të ofruar një skemë të tillë”, u shpreh Drejtoresha e Sistemeve të Pagesave.

Të dyja këto sisteme rrisin përfshirjen financiare dhe ulin koston e transaksioneve për biznesin dhe konsumatorët.

Europa 23 Korrik Dorian Koça

BE i vendos Google gjobë prej 890 milionë euro

Komisioni Evropian njoftoi të enjten një gjobë prej 890 milionë euro kundër Google për praktikat e dyshuara të vetëpreferencës dhe trajtimin e padrejtë të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat