Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2026, 14:30

Zaçaj: Ekonomia shqiptare mbetet e qëndrueshme përballë pasigurive globale

Nga Edel Strazimiri

Zaçaj: Ekonomia shqiptare mbetet e qëndrueshme përballë

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluar më 6-7 korrik në Lisbonë, ku u diskutuan zhvillimet e ekonomisë globale, sfidat makroekonomike dhe prioritetet e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Takimi mblodhi guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Konstituencës, të cilët shkëmbyen qëndrime mbi ndikimin e tensioneve gjeopolitike, inflacionin, rritjen ekonomike, stabilitetin financiar, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe efektet e saj në ekonomi.

Gjatë diskutimeve, Zaçaj prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se "ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë qëndrueshmëri përballë pasigurive të mjedisit të jashtëm".

Ajo nënvizoi se "rritja ekonomike mbetet solide, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, turizmi dhe zgjerimi i kreditimit, ndërsa inflacioni vijon të luhatet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë".

Zëvendësguvernatorja theksoi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar përmes një politike monetare të kujdesshme, duke vlerësuar se sektori bankar shqiptar vijon të karakterizohet nga kapitalizim i lartë, likuiditet i mjaftueshëm dhe nivele historikisht të ulëta të kredive me probleme.

Në fjalën e saj, Zaçaj u ndal edhe te rëndësia e vijimit të reformave strukturore dhe procesit të integrimit evropian, duke veçuar se "operacionalizimi i transfertave SEPA përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar me Bashkimin Evropian".

Duke folur për inteligjencën artificiale, ajo theksoi se kjo teknologji krijon mundësi për rritjen e efikasitetit, përmirësimin e analizës së të dhënave dhe forcimin e proceseve mbikëqyrëse.

"Banka e Shqipërisë synon të ndërtojë një kuadër të brendshëm për inteligjencën artificiale, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke garantuar një përdorim të përgjegjshëm, transparent dhe të sigurt të kësaj teknologjie," u shpreh Zaçaj.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e koordinimit të politikave ekonomike, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave për të përballuar sfidat globale dhe për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat